Përzgjedhësi i Gjermanisë, Jurgen Klopp, ka kërkuar më shumë durim për procesin e rindërtimit të Kombëtares, duke hedhur poshtë pretendimet se skuadra nuk ka mjaftueshëm futbollistë cilësorë.
59-vjeçari, i cili mori drejtimin e Gjermanisë gjatë verës, pas largimit të Julian Nagelsmann, synon ta rikthejë kombëtaren katër herë kampione të botës në mesin e përfaqësueseve më të mira.
Gjermania ka kaluar një dekadë të vështirë në turnetë madhorë, ndërsa eliminimi në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës nga Paraguai ishte zhgënjimi i fundit. Kjo ishte hera e tretë radhazi që gjermanët dështuan të kalonin në fazat e mëtejshme, pas eliminimeve në fazën e grupeve në vitet 2018 dhe 2022.
Duke folur në Beograd, në prag të ndeshjes së Ligës së Kombeve kundër Serbisë, Klopp u shpreh optimist për potencialin që ka në dispozicion.
“Shpesh thuhet se futbollit gjerman i mungojnë shumë gjëra, përfshirë numri i lojtarëve të mirë, talentet e mëdha dhe futbollistët e nivelit botëror. Por unë kam një këndvështrim jashtëzakonisht pozitiv për këtë skuadër. Për të qenë i sinqertë, kemi një përzierje shumë të mirë”, deklaroi Klopp.
Ish-trajneri i Liverpoolit theksoi se nuk po e sheh situatën me naivitet, por beson se Gjermania ka cilësinë e nevojshme dhe duhet ta dëshmojë atë në fushën e lojës.
“Nuk jam naiv dhe nuk po i shoh gjërat përmes syzeve rozë. Ne jemi vërtet shumë të mirë, thjesht duhet ta bëjmë këtë të dukshme dhe ta përkthejmë në paraqitje në fushë”.
Klopp kërkoi gjithashtu kohë për ta zbatuar projektin e tij, duke kujtuar se kishte pasur nevojë për durim edhe kur mori drejtimin e Liverpoolit, ku synonte t’i kthente të gjithë nga dyshues në besimtarë.
“Duhet t’i jap vetes kohë. Nëse kjo i përshtatet publikut apo jo, nuk është diçka që mund ta kontrolloj”.
“Jemi në rrugën e duhur, edhe pse natyrisht jemi ende larg përfundimit. Megjithatë, baza që kemi ndërtuar është vërtet e mirë”./Telegrafi/

