Një kënd i ri dhe më i sigurt lojërash është tashmë në dispozicion të 136 fëmijëve të kopshtit “Delfin”, pjesë e Institucionit Publik Parashkollor “Vukosava Ivanović Mašanović” në Bar, Mal i Zi.
JUMBO, në bashkëpunim me Fondacionin Mane dhe nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Grupit BALFIN, z. Samir Mane, ka ndërtuar këtë hapësirë për fëmijët e moshës 2 deri në 6 vjeç. I projektuar për të nxitur lëvizjen, krijimtarinë dhe të mësuarit përmes lojës, këndi i ri u mundëson fëmijëve të luajnë, të ndërveprojnë dhe të kalojnë më shumë kohë jashtë, në një mjedis të përshtatshëm për aktivitetet e përditshme të kopshtit.
Përveç ndërtimit të këndit të ri, JUMBO dhe Fondacioni Mane mbështesin fëmijët dhe komunitetet edhe në shtetet e tjera ku operojnë. Nismat shtrihen edhe në ndërtimin e këndeve të lojërave në kopshte në Ferizaj, Kosovë apo Zenica dhe Doboj, në Bosnje dhe Hercegovinë, duke kontribuar në krijimin e mjediseve më të përshtatshme për lojën dhe zhvillimin e fëmijëve. Ky angazhim përfshin gjithashtu dhurime për fëmijët e Fshatit SOS në Shqipëri, si dhe mbështetje për fëmijët me aftësi ndryshe në bashkëpunim me World Vision.