Aktori Jul Deda ka reaguar pas zërave dhe pretendimeve që kanë qarkulluar së fundmi në lidhje me largimin e tij nga emisioni “Fiks Fare”, si dhe akuzave se qëndron pas një faqeje anonime në Instagram që publikon materiale kundër figurave të njohura të medias.
Përmes një postimi në InstaStory, Deda ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke u shprehur i tronditur nga ato që ka lexuar dhe duke e cilësuar të pavërtetë historinë e bërë publike.
Reagimi i aktorit vjen pas shkrimeve të publikuara nga “Prapaskena”, ku pretendohej se Deda po hetohej nga Krimi Kibernetik në Policinë e Shtetit për fyerje dhe shantazh.
Sipas pretendimeve të publikuara nga kjo media, Deda dyshohej se kishte përdorur emailin e tij personal për të hapur faqen “ON/OFF TV”, në të cilën publikoheshin shkrime kritike ndaj figurave të Top Channel, TV Klan dhe Syri TV. Në të njëjtat raportime, aludohej edhe se largimi i tij nga “Fiks Fare” lidhej me probleme të pretenduara me bixhozin.
Përballë këtyre pretendimeve, aktori ka zgjedhur të reagojë publikisht, duke e mohuar me forcë përfshirjen në një aktivitet të tillë.
“Është shumë e rëndë të dëgjoj apo të lexoj këto fjalë për mua. E përgënjeshtroj këtë fakt me gjithë fuqinë time. Nuk do guxoja kurrë ta bëja këtë, aq më tepër për vendet ku kam punuar dhe jetuar, aq më tepër për kolegët me të cilët kam punuar”, ka shkruar Deda.
Ai ka vijuar reagimin duke thënë se nuk ka shumë çfarë të bëjë përtej përgënjeshtrimit të pretendimeve, duke ia lënë publikut të vendosë nëse do t’i besojë apo jo versionit të tij.
“Edhe një herë, e përgënjeshtroj, se më shumë s’di çfarë të bëj më në këtë vend. Kush më beson mirë, kush nuk më beson s’kam çfarë të bëj. Faleminderit për mirëkuptimin”, ka përfunduar aktori.
Foto: Jul Deda/InstaStory
Në reagimin e tij vërehet edhe një dozë zhgënjimi dhe lodhjeje përballë situatës, ndërsa Deda thekson se nuk do të vepronte kundër vendeve ku ka punuar apo kolegëve me të cilët ka ndarë vite të karrierës.
Deri tani, pretendimet e publikuara ndaj tij mbeten të tilla, ndërsa Jul Deda i ka mohuar ato në mënyrë të prerë përmes reagimit të tij në rrjetet sociale. /Telegrafi/