Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka vlerësuar se zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës janë në kundërshtim me demokracinë dhe nuk kontribuojnë në qetësimin e tensioneve dhe ndërtimin e besimit.
“Përkundër kësaj, ju tani keni një përpjekje për një proces zgjedhor në veri të Kosovës pa pjesëmarrjen e serbëve dhe një përpjekje për të sjellë në pushtet ata që përbëjnë dy për qind të popullsisë në zonat ku 98 për qind janë serbë”, tha Jevtiq për televizionin Prva.
Ai ka vlerësuar se është një “foto-reklamë” e asaj që kryeministri i Kosovës Albin Kurti e quan demokraci dhe “qëllimi i tij përfundimtar është që të mos ketë serb në atë zonë”.
I pyetur nëse pret ndonjë “incident apo trazira të dielën gjatë zgjedhjeve”, Jevtic tha se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen dhe të mos reagojnë në asnjë mënyrë ndaj provokimeve të mundshme.
“Nëse dikush me të vërtetë donte të shmangte një situatë të tensionuar, do t’i shtynte ato zgjedhje, do të kishte ndërmarrë hapat që do të siguronin paqen në përputhje me kërkesat e Listës Serbe dhe konkluzionet nga Rashka, por këtu është shumë e qartë se, mbi të gjitha Albin Kurti nuk dëshiron ta qetësojë situatën”, tha Jevtiq.
Zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, janë caktuar që të mbahen të dielën, më 23 prill.
Serbët nga veriu i Kosovës, të cilët në nëntor u larguan nga institucionet e Prishtinës, policia dhe gjyqësori, deklaruan se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje për shkak se kushtet që ata kërkuan kur u larguan nga institucionet, pra tërheqja e policisë së Kosovës nga veriu dhe mos Formimi i Asociacionit.