Besfort Racaj nga iniciativa “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësore” shpalli sot thirrjen për protestën ditën e shtunë, më 21 nëntor, nga orën 10:00 para Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar takimin për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve me të cilat përballen punonjësit shëndetësorë.
Rracaj tha se kjo vjen pas disa tentime për të gjetur dialog dhe kanë shfrytëzuar çdo mundësi për zgjidhje institucionale.
“Të nderuar, sot, pasi jemi trokitur në dyert e institucioneve, kemi kërkuar dialog, kemi pritur dhe kemi shfrytëzuar çdo mundësi për zgjidhje institucionale, jemi të detyruar të ndërmarrim hapin e radhës. Prandaj, në emër të studentëve dhe profesionistëve të shëndetësisë, sot shpallim publikisht thirrje për protestë: të shtunën, më 21 nëntor, në ora 10:00, para Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ai.
Ai u shpreh se prej vitesh përballen me probleme që pamundësojnë ndërtimin e një të ardhme më Kosovë si profesionistë shëndetësorë.
“Jemi këtu në emër të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe profesionistëve të shëndetësisë, të cilët prej vitesh përballemi me problemet që po na pamundësojnë ndërtimin e një të ardhmeje dinjitoze në vendin tonë. Kërkuam diçka krejtësisht të arsyeshme: të ulemi në një tryezë, të dëgjohemi dhe të diskutojmë për zgjidhje konkrete. Përkundër pritjes dhe insistimit tonë për një takim me përfaqësuesit e institucioneve, përgjigjja që morëm ishte zhgënjyese. Të mërkurën që lamë pas, vetëm dy ditë para takimit të caktuar nga vetë Ministria e Shëndetësisë për datën 13 nëntor, përmes një e-maili zyrtar u njoftuam se takimi anulohej, me arsyetimin se agjenda e ministrit kishte ndryshuar. Po, takimi u anulua vetëm dy ditë para se të mbahej”, tha Rracaj.
Përfaqësuesi i iniciativës tha se nuk mund të “vazhdojnë të trokasin në dyert e institucioneve”.
“Ne nuk mund të vazhdojmë të trokasim në dyert e institucioneve dhe të presim pafundësisht që dikush të gjejë kohë për problemet tona, sepse ndërkohë që institucionet shtyjnë takimet, jeta e njerëzve nuk pret”, potencoi ai.
Prej disa kohësh, profesionistët shëndetësor parashtrojnë pakënaqësi të tilla.

