Jennifer Lopez ka ngjallur reagime të shumta me publikimin e saj më të fundit në rrjetet sociale. Këngëtarja dhe aktorja e njohur amerikane publikoi një video pa grim, përmes së cilës promovoi një produkt të ri nga linja e saj kozmetike JLo Beauty, por postimi ka ndarë opinionet e ndjekësve.
Në videon e realizuar në banjën e saj, 56-vjeçarja shfaqet e veshur me një mantel sateni, ndërsa prezanton serumin e ri dhe njofton për ridizajnimin e faqes zyrtare të markës së saj. Ajo shpjegoi se produkti përmban retinol, vitaminë C dhe përbërës të tjerë aktivë që ndihmojnë në zbutjen, ndriçimin dhe rigjallërimin e lëkurës.
Pamja e saj natyrale, me flokë të lëshuara dhe të drejta, të kombinuara me disa fije më të çelëta, mori vëmendjen e ndjekësve, shumë prej të cilëve e mbuluan me komplimente.
“Lëkura shkëlqen, flokët shkëlqejnë, jeta shkëlqen”, “Rrezaton me një shkëlqim të përkryer” dhe “Gjithmonë duket e mahnitshme me lëkurën më të bukur”, ishin vetëm disa nga komentet pozitive që mori artistja. Një ndjekës madje bëri shaka duke shkruar: “Shkëlqimi i saj meriton kodin e vet postar”.
Megjithatë, jo të gjithë u bindën nga paraqitja e saj. Një pjesë e ndjekësve e akuzuan Jennifer Lopez se po përdorte filtra gjatë videos, duke vënë në pikëpyetje autenticitetin e promovimit të produktit për kujdesin ndaj lëkurës.
“Nëse produktet janë kaq të mira, pse po përdor filtër?”, shkroi një komentues. Një tjetër shtoi: “Do të ishte shumë më bindëse nëse videoja do të ishte pa filtër”.
Disa përdorues të tjerë vunë re se videoja dukej paksa e turbullt, gjë që sipas tyre e bën të vështirë vlerësimin real të efektit që serumi ka në lëkurën e këngëtares.
Pavarësisht kritikave, postimi i Jennifer Lopez ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, duke nxitur diskutime mes fansave rreth pamjes së saj natyrale dhe produkteve të linjës së saj kozmetike. /Telegrafi/
