Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ashpërsuar gjuhën ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, gjatë debatit për projektbuxhetin e vitit 2027.
Në replikën e saj ndaj Muratit, Bajrami e ka quajtur atë “tepër injorant”, duke thënë se ministri nuk e kupton mënyrën se si duhet të shpërndahet buxheti për të krijuar vlerë ekonomike.
“Përbesë tepër vështirë po më vjen me t’u drejtu ministër, se veç këtë epitet nuk e meriton. Ti idenë nuk e ki se qysh duhet me u shpërnda buxheti që me kriju vlerë ekonomike.Ti është mirë me tregu që ti je pajtu me politikat fiskale të Avdullah Hotit dhe s’ke pasë nevojë me heq asnjë presje dhe pikë”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka kundërshtuar edhe mënyrën se si Murati e ka trajtuar çështjen e ndryshimeve në politikat fiskale, duke thënë se ato nuk nënkuptojnë vetëm rritjen e tatimeve, por edhe uljen e tyre dhe zgjerimin e bazës ekonomike.
“Ndryshimi i tatimeve nuk nënkupton veç me i rrit, por me ulë dhe me tu zgjeru baza ekonomike. Nuk e ke idenë, ajo që ka ndodh në vitin 2015, janë bërë politikat fiskale, rritja ekonomike ka shku në 6 për qind, po ti si kupton këto gjëra sepse je tepër injorant”, ka thënë ajo.
“Në ndërkohë sa i përket numrit të punësuarve, i ke kontribuues që paguajnë Trustin për 12 muaj. Injorant total”, ka përfunduar Bajrami.

