Japonia pritet të nisë të martën një mision hapësinor për të sjellë në Tokë mostra nga njëra prej hënave të Marsit.
Transmetuesi shtetëror NHK tha se Misioni Martian Moons eXploration ose MMX do të niset të martën nga prefektura Kagoshima, në jugperëndim të Japonisë.
Misioni, i cili do të niset me një raketë H3 nga Qendra Hapësinore Tanegashima, është projektuar për të qenë i pari në botë që do të ulet në Fobos, hënën e Marsit, do të mbledhë mostra nga sipërfaqja e saj dhe do t’i sjellë ato në Tokë.
Agjencia Japoneze e Eksplorimit Hapësinor udhëhoqi projektin për zhvillimin e misionit me tre module. Kostoja totale e zhvillimit të misionit është 55.3 miliardë jenë (gati 350 milionë dollarë).
Moduli i eksplorimit është i pajisur me pajisje për mbledhjen e mostrave, instrumente të ndryshme vëzhgimi dhe dy kamera me rezolucion shumë të lartë.
Misioni pritet të arrijë në afërsi të Marsit rreth një vit pas nisjes. Më pas, ai do të kalojë tre vjet duke kryer vëzhgime.
Moduli i kthimit ka të ngjarë t’i sjellë mostrat në Tokë gjatë vitit fiskal që përfundon në mars të vitit 2032. /AA/

