Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka kritikuar punësimin e fuqisë së huaj në vend, duke thënë se një pjesë e punëtorëve të huaj nuk përbëjnë “vlerë të shtuar” nga perspektiva kombëtare.
Janša i bëri këto deklarata në Kongresin e Menaxherëve në Portorozh, ku foli për drejtimin e ardhshëm të zhvillimit të Sllovenisë dhe situatën ekonomike në vend.
Duke folur për numrin e lejeve të punës për të huajt, Janša tha se gjatë vitit të kaluar janë lëshuar rreth 150 mijë leje të tilla.
“Dikush që vjen nga Kosova dhe punon në një ndërmarrje komunale, merr pagë minimale dhe sjell edhe familjen e tij, nga këndvështrimi kombëtar nuk është vlerë e shtuar”, tha Jansha.
Sipas raportimeve të mediave sllovene, Janša theksoi se punësimi i një personi të tillë mund të përbëjë vlerë të shtuar për ndërmarrjen komunale, por ai vuri në pikëpyetje ndikimin e tij në ekonominë kombëtare.
Kryeministri slloven kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si importim të fuqisë së lirë punëtore dhe e vlerësoi politikën migratore të vendit si të gabuar. Ai përmendi edhe afrimin e shpejtë të Kroacisë me standardin ekonomik të Sllovenisë.
Janša e cilësoi administratën shtetërore si tepër të madhe, duke përmendur rreth 22 mijë rregullore dhe afro 200 mijë të punësuar në sektorin publik.
Megjithatë, ai tha se gjendja në Slloveni nuk është e keqe dhe se vendi nuk ndodhet në një situatë krize. “Nuk jemi nën ujë dhe nuk jemi fundosur, prandaj sfidat mund t’i zgjidhim pa shtrëngim të rripit në kohë krize”, tha ai.
Janša foli edhe për referendumin e ardhshëm për ligjin ndërhyrës për zhvillimin e Sllovenisë, të cilin e përshkroi si një përballje mes “konceptit të zhvillimit dhe konceptit të zilisë”.
Ai kritikoi gjithashtu Gjykatën Kushtetuese për vendimin që mundësoi mbajtjen e referendumit, pavarësisht natyrës fiskale të ligjit./Telegrafi/