Këngëtari i njohur britanik, James Blunt (52), ka nisur procedurat për ndryshimin e emrit të tij, pasi albumi i fundit arriti të kryesojë listat muzikore në Mbretërinë e Bashkuar.
Artisti kishte premtuar më herët se do ta ndryshonte emrin në “Ryan Air”, nëse albumi i tij i tetë në studio, “Airplane Mode”, do të zinte vendin e parë në top-listat britanike. Megjithatë, ai ka vendosur të bëjë një ndryshim të vogël dhe emri që ka propozuar është “Ryan Bel Air”.
Blunt e bëri të ditur këtë përmes një publikimi në rrjetet sociale, ku ndau edhe një fotografi të dokumentit të aplikimit për ndryshimin e emrit. Sipas dokumentit, procedura i ka kushtuar 53.05 funte, apo rreth 60 euro. Ende nuk është konfirmuar nëse kërkesa është miratuar zyrtarisht.
View this post on Instagram
A post shared by James Blunt (@jamesblunt)
A post shared by James Blunt (@jamesblunt)
Premtimi i këngëtarit erdhi pasi “Airplane Mode” arriti suksesin e shumëpritur, duke u renditur në vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar. Ky është albumi i parë i Bluntit që kryeson listat britanike pas 19 vjetësh. Herën e fundit, ai e kishte arritur këtë sukses në vitin 2007 me albumin “All the Lost Souls”.
Ndërkohë, albumi i tij debutues, “Back to Bedlam”, i publikuar në vitin 2005, kishte qëndruar plot dhjetë javë në krye të klasifikimit.
Kjo nuk është hera e parë që Blunt bën shaka me fansat rreth ndryshimit të emrit. Në vitin 2024, ai kishte premtuar se do të merrte emrin “Blunty McBluntface” nëse ribotimi i albumit “Back to Bedlam”, me rastin e 20-vjetorit, do të arrinte vendin e parë. Megjithatë, albumi u pozicionua në vendin e shtatë dhe premtimi nuk u realizua.
Edhe bashkëshortja e tij, Sofia Wellesley, reagoi ndaj suksesit të këngëtarit, duke e uruar për arritjen, por me një koment humoristik: “Numri një. Jam shumë krenare për ty. Por nuk do ta ndryshoj mbiemrin tim”.
James Blunt ka lindur me emrin James Hillier Blount, ndërsa mbiemrin e ndryshoi në drejtshkrimin “Blunt” për ta bërë më të lehtë për publikun shqiptimin dhe mbajtjen mend të tij.

