Shërbimet izraelite të inteligjencës pretendojnë se Irani ka zhvendosur mijëra centrifuga për pasurimin e uraniumit në një kompleks të fortifikuar thellë brenda të ashtuquajturit “Mali Pickaxe” (i njohur edhe si Mali Kolang), duke rritur shqetësimet se Teherani mund ta rindërtojë fshehurazi programin e tij bërthamor.
Sipas raportimeve, centrifugat janë transferuar në këtë objekt nëntokësor pas sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane ndaj tri objekteve kryesore bërthamore të Iranit.
Kompleksi ndodhet pranë centralit bërthamor të Natanzit dhe vlerësohet të jetë i ndërtuar rreth 90 deri në 140 metra nën shkëmb graniti, çka e bën jashtëzakonisht të vështirë shkatërrimin e tij me sulme ajrore, raporton wsj.
– YouTube www.youtube.com
Autoritetet izraelite ia kanë përcjellë këtë informacion Shteteve të Bashkuara, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu po kërkon vazhdimin e presionit ushtarak ndaj Iranit.
Edhe presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar së fundmi se kompleksi mund të jetë një objektiv i mundshëm për sulme të ardhshme.
Ekspertët e Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare (ISIS) kanë vërejtur aktivitet të vazhdueshëm në zonë gjatë 15 muajve të fundit, përfshirë lëvizje kamionësh, përforcim të hyrjeve të tuneleve dhe zgjerim të masave të sigurisë.
Megjithatë, nuk ka prova publike që konfirmojnë se në objekt po kryhet aktualisht pasurimi i uraniumit.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) nuk ka pasur qasje në këtë kompleks dhe nuk ka komentuar mbi pretendimet izraelite. Irani vazhdon të këmbëngulë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore. /Telegrafi/
