Një tërmet me magnitudë 4.1 u regjistrua menjëherë pas mesnatës së së shtunës në mëngjes nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) i Italisë.
Epiqendra ishte në Pizzone, në provincën e Isernias (Molise), në një thellësi prej rreth 10 kilometrash, transmeton Telegrafi.
Tërmeti u ndje në të gjithë provincën dhe gjithashtu në Chieti, L’Aquila dhe Caserta. Shumë njerëz dolën në rrugë nga frika.
Një dridhje e dytë, me magnitudë 2.2, u regjistrua në të njëjtën zonë në orën 3:41 të mëngjesit, në një thellësi prej 9 kilometrash.
Provinca e Isernias ishte prekur tashmë nga dy dridhje me magnitudë 2.5 në janarin e kaluar.
Deri më tani nuk janë raportuar të lënduar ose dëme.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me Mbrojtjen Civile rajonale. Për fat të mirë, nga një inspektim fillestar dhe i rëndësishëm, nuk është gjetur asnjë dëm në njerëz apo pronë. Njerëzit qëndruan në rrugë deri vonë, kryesisht për shkak të gjendjes së ankthit që u krijua”, tha kryetari i bashkisë së Pizzone-s, Vincenzo Di Cristofano, duke folur për mediat lokale. /Telegrafi/
