Ish-drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ahmet Isufi, ka komentuar vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë dhe procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Hagë.
Isufi e ka cilësuar procesin si të rëndë nga ana njerëzore, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si po trajtohen ish-krerët e UÇK-së.
“Nga ana njerëzore është shumë e rëndë dhe pas lirisë dhe pas gjitha këtyre të arriturave që i ka pasë Kosova, të jesh në një gjykim të çuditshëm, monstruoz, sikur me qenë i mesjetës”, ka deklaruar Isufi.
Ai ka folur edhe për pamundësinë e vëllait të Jakup Krasniqit që ta takonte atë gjatë vizitës në Kosovë, duke e cilësuar këtë situatë si të pakuptimtë.
“Kjo është e çuditshme, sepse kjo e humb çdo kuptim, për shkak se vëllai gjithmonë ka shku në vizitë, se është anëtar i familjes dhe tash ta shohësh në këtë pozitë…”, është shprehur ai.
Isufi ka kritikuar edhe mënyrën e sjelljes së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës gjatë kësaj vizite, duke thënë se trajtimi i tillë krijon përshtypjen sikur po bëhet fjalë për ndjekjen e një krimineli të rëndë.

