Instituti i Shëndetetit Publik njoftoi se është shpallur epidemi gastrointestinale në Komunën e Gostivarit, pasi siç tha, është tejkaluar limiti javor i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore e që kryesisht kanë simptoma të të vjellave dhe të diarresë.
ISHP tha se vetëm gjatë ditës së sotme në repartin e sëmundjeve ngjitëse ndihmë mjekësore kanë kërkuar 204 pacientë, tre nga të cilët janë të hospitalizuar, ndërsa në repartin e Pediatrisë janë 145 pacientë prej të cilëve 105 janë raste të reja.
Edhe në Repartin e Urgjencës janë paraqitur 9 pacientë me simptoma të diarresë dhe të vjellave duke bërë që në vazhdimësi numri i rasteve të rritet.
“Duke parë situatën aktuale me numrat e pacientëve, shpallja e gjendjes së epidemisë është e nevojshme sepse do të na ndihmojë në koordinim më të mirë të punëve ndërmjet reparteve dhe institutit, kjo do të na ndihmojë të gjejmë edhe shkaktarin e gjithë kësaj situate”, deklaruan nga ISHP.
Kujtojmë se qytetarët e Gostivarit tashmë katër ditë po përballen me probleme shëndetësore që sipas dyshimeve të para po vijnë nga rrjeti i ujësjellësit të qytetit.
Me vendim të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë aktualisht në Gostivar ndalohet përdorimi i ujir të pijshëm, teksa ISHP e ndaloi përdorimin e të njejtit edhe për pastrimin e frutave apo enëve shtëpiake që përdoren për ushqim.
