KORREKT / SOT13 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ish-zyrtari i AKI-së dënohet sërish me dy vjet burgim për korrupsion edhe në rigjykim

Ish-zyrtari i AKI-së dënohet sërish me dy vjet burgim për korrupsion edhe në rigjykim

Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, e ka dënuar me dy vjet burgim ish-zyrtarin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Muhamet Krasniqin, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërsa, e ka liruar nga akuza për zbulim dhe mosruajtje të informacioneve të klasifikuara.

“Gjykata të njëjtit, për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vjetësh, i cili do të ekzekutohet pasi ky vendim të marrë formën e prerë”, tha kryetari i trupit gjykues, Ilir Foniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, Foniqi konstatoi se të akuzuarit Krasniqi i shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratën publike apo i shërbimit në funksione publike, në kohëzgjatje prej pesë vjetësh.

Tutje, sipas aktgjykimit, Krasniqi detyrohet t’i paguajë shpenzimet procedurale në vlerë prej 200 eurosh për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Po ashtu, u konstatua se gjësendet e sekuestruara do të konfiskohen.

Ndërkaq, për veprën penale zbulim dhe mosruajtje e informacioneve të klasifikuara, Krasniqi u lirua nga akuza, pasi që, sipas gjykatës, nuk është vërtetuar se e ka kryer këtë vepër penale.

Për këtë vepër, Foniqi deklaroi se shpenzimet e procedurës do të bien në barrë të gjykatës.

Foniqi tha se palët e pakënaqura me vendimin kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditësh.

Në shpalljen e aktgjykimit ishte i pranishëm i akuzuari Muhamet Krasniqi, së bashku me mbrojtësit e tij, avokatët Fanol Krasniqi dhe Florent Latifaj, ndërsa nga Prokuroria nuk prezantoi askush.

Trupi gjykues që mori këtë vendim përbëhej nga Ilir Foniqi – kryetar, si dhe Fatime Dërmaku dhe Ertan Sejfulla – anëtarë.

Ndryshe, shqyrtimi i dytë për këtë rast ishte mbajtur në kundërshtim me ligjin, pasi që gjykatësi Foniqi kishte zhvilluar seancën në mungesë të të akuzuarit Krasniqi.

Ndërkaq, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 10 mars 2022, i akuzuari Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i viheshin në barrë sipas aktakuzës.

Gjatë shqyrtimit të kundërshtimit të provave, të akuzuarit i janë hequr veprat penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Hyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 23 shkurt 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj Muhamet Krasniqit për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Zbulim i informacioneve të klasifikuara dhe mosruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, Krasniqi akuzohej se më 17 shtator 2020, 25 gusht 2020 dhe 11 mars 2021, në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në kundërshtim me ligjin, në cilësinë e zyrtarit të AKI-së, kishte tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk kishte përmbushur detyrat zyrtare.

Sipas aktakuzës, ai, pa autorizim, kishte ndërhyrë në sistemin kompjuterik të AKI-së, duke instaluar programin për monitorimin e kompjuterëve të tjerë “Net Monitor for Employees Pro”, përmes të cilit ishin infektuar 55 kompjuterë të tjerë brenda selisë qendrore të AKI-së. Po ashtu, akuzohej se kishte instaluar programin “Veyon”, duke shkelur të drejtat e punonjësve të tjerë përmes krijimit të qasjes së paautorizuar në të dhënat që ata posedonin.

Sipas aktakuzës, ai kishte keqpërdorur autorizimet e tij si administrator i sistemit kompjuterik, përkatësisht emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin, të cilat ishte i autorizuar t’i përdorte vetëm për qëllime zyrtare. Gjithashtu, akuzohej se kishte krijuar qasje të paautorizuar në dokumentacionin e klasifikuar dhe kishte mundësuar marrjen e dokumenteve dhe informacioneve nga përdoruesit e kompjuterëve.

Me këto veprime, Krasniqi akuzohej se kishte kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3, pikat 3.1 dhe 3.4 të KPRK-së.

Tutje, në pikën e dytë të aktakuzës, Krasniqi akuzohej se, duke përdorur programin “Net Monitor for Employees Pro” dhe softuerin “Veyon”, të instaluar në kompjuterët që ai kishte përdorur në rrjetin e AKI-së, kishte krijuar qasje në kompjuterët e punonjësve dhe eprorëve brenda rrjetit të komunikimit të AKI-së.

Përmes këtyre programeve, sipas aktakuzës, ai kishte mundur të shihte aktivitetin e secilit kompjuter të infektuar, të merrte fajlla dhe fjalëkalime, si dhe të regjistronte në video aktivitetin e përdoruesve. Po ashtu, akuzohej se kishte arritur të hynte në fajllat e inspektorit të përgjithshëm, dokumentet e përgjimit të prodhuara nga AKI-ja, listën e pagave të punonjësve, dokumente të ndryshme operative dhe fotografi të paautorizuara të punonjësve.

Me këto veprime, Krasniqi akuzohej për veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, nga neni 416, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Kurse, sipas pikës së tretë të aktakuzës, Krasniqi, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, kishte instaluar softuerët “Net Monitor for Employees Pro” dhe “Veyon” në rrjetin e brendshëm të komunikimit të AKI-së, përmes dy kompjuterëve të tij. Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, ai kishte krijuar qasje në 55 kompjuterë të punonjësve të tjerë përmes agjentëve të programit dhe kishte mundur të merrte informacione nga sistemet kompjuterike të tyre. Po ashtu, softuerin “Net Monitor for Employees Pro” e kishte të instaluar edhe në kompjuterin e tij personal.

Me këto veprime, Krasniqi akuzohej për veprën penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 327, paragrafi 1 i KPRK-së.

Po ashtu, sipas pikës së katërt të aktakuzës, Krasniqi, duke pasur qasje në dokumente të klasifikuara të njësive të AKI-së, të cilat ishin gjetur në kompjuterin e tij në objektin e AKI-së dhe në kompjuterin në shtëpinë e tij, akuzohej se kishte kopjuar dhe ruajtur dokumente që nuk duhej të nxirreshin jashtë ambienteve të këtij institucioni.

Sipas aktakuzës, bëhej fjalë për lista të pagave të punonjësve të AKI-së, dokumente të klasifikuara të njësive të AKI-së me nivel sekret dhe tepër sekret, si dhe dokumente të inspektorit të përgjithshëm. Ai akuzohej se këto informacione ua kishte dhënë personave të cilët Prokuroria i cilësonte si pjesë të një grupi kriminal: Agim Krasniqit, Aqif Krasniqit dhe Arif Krasniqit, të cilët, sipas aktakuzës, ishin nën hetime policore për dyshime për kryerjen e veprave penale.

Për këtë, Krasniqi akuzohej për veprën penale “Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mosruajtja e informacioneve të klasifikuara”, nga neni 125 i KPRK-së, lidhur me nenin 50, paragrafi 3 të Ligjit nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.

Ndërsa, sipas pikës së pestë të aktakuzës, Krasniqi akuzohej se, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe informatat që kishte për sistemin e video-monitorimit të objekteve të AKI-së, ishte futur në këtë sistem dhe kishte fotografuar në mënyrë të paautorizuar së paku dy zyrtare brenda objekteve të AKI-së.

Për këtë, Krasniqi akuzohej për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”, nga neni 202, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.