Bota e futbollit po mbetet pa fjalë përballë paraqitjeve të jashtëzakonshme të Lamine Yamalit, teksa vargut të elozheve për superyllin e Barcelonës i është bashkuar edhe ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë dhe ish-mbrojtësi i katalunasve, Sylvinho.
Në prag të përballjes së madhe në Ligën e Kampionëve mes Barcelonës së Hansi Flickut dhe Paris Saint-Germainit të Luis Enriques, të gjithë sytë janë kthyer kah sulmuesi 19-vjeçar, zhvillimi i të cilit vazhdon të befasojë edhe vetë emrat më me përvojë të futbollit evropian.
Në një intervistë për emisionin “La Tribu” në “Radio MARCA”, tekniku brazilian e përshkroi Yamalin si një talent jashtë normales, kuptimi i të cilit për lojën po lë mbresa të thella, transmeton Klankosova.tv.
Ajo që po bën ai nuk është normale. Lojtarë të tillë janë ndryshe, shumë ndryshe,” deklaroi ish-futbollisti i Barcelonës.
Sylvinho theksoi se pjekuria dhe vendimmarrja e 19-vjeçarit po përmirësohen nga ndeshja në ndeshje, duke e bërë atë një armë tejet të rrezikshme dhe të gjithanshme në repartin ofensiv.
Ai po fiton përvojë, e di se ku duhet të shkojë dhe ku nuk duhet. Vazhdon të rritet,” shtoi më tej braziliani.
Evoluimi taktik i Yamalit nën drejtimin e Hansi Flickut ka qenë vendimtar këtë sezon. Nga një anësor që qëndronte kryesisht i ngulitur pranë vijës anësore, ai tashmë po operon gjithnjë e më shumë në zona qendrore dhe të thella të sulmit, duke i dhënë një dimension të ri lojës sulmuese të katalunasve.
Duke komentuar përballjen spektakolare që pritet të zhvillohet në “Parc des Princes” mes Barçës dhe PSG-së, dy skuadra që aplikojnë një stil shumë të ngjashëm futbolli sulmues, Sylvinho nuk preferoi të ndante favoritë, duke e cilësuar këtë si një finale të parakohshme.
Të dyja janë skuadra të jashtëzakonshme. Kjo mund të jetë finalja e Ligës së Kampionëve,” u përgjigj ai.
Pavarësisht entuziazmit për formën e lartë të ish-skuadrës së tij, Sylvinho u shpreh më i matur kur foli për “El Clasico”-n e së dielës kundër Real Madridit, duke paralajmëruar se paraqitjet mbresëlënëse të Barcelonës në kampionat mund të sfidohen seriozisht nga kualiteti individual i madrilenëve.

