Teherani akuzon Uashingtonin për shkelje të armëpushimit dhe sulme të ndërsjella.
Autoritetet iraniane kanë deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur armëpushimin e arritur më herët, duke kryer sulme ndaj një tankeri nafte iranian dhe një anije tjetër në hyrje të Ngushticës së Hormuzit, shkruan skynews.
Sipas një zëdhënësi të ushtrisë iraniane, i cituar nga agjencia Press TV, SHBA është përfshirë në veprime “agresive, terroriste dhe piraterike”, duke goditur, siç u tha, edhe “zona civile” përgjatë brigjeve të Bandar Khamir, Sirik dhe ishullit Qeshm.
Zyrtarët iranianë pretendojnë gjithashtu se sulmet janë kryer “me bashkëpunimin e disa vendeve të rajonit”, shkruan skynews.
Në të njëjtën kohë, Teherani ka deklaruar se forcat e tij të armatosura janë kundërpërgjigjur duke shënjestruar anije ushtarake amerikane, të cilave, sipas tyre, u janë shkaktuar “dëme të konsiderueshme”.
Deri më tani, Shtetet e Bashkuara nuk kanë konfirmuar dhe as komentuar mbi këto pretendime, ndërsa situata në rajonin e Ngushticës së Hormuzit mbetet e tensionuar. /Telegrafi/