Katër cisterna nafte janë goditur nga shpërthime në Ngushticën e Hormuzit, ka bërë të ditur ushtria iraniane të enjten, duke pretenduar se anijet kishin injoruar paralajmërimet dhe kishin hyrë në zona të kufizuara të kësaj rruge strategjike detare, transmeton klankosova.tv
Marina e Gardës Revolucionare të Iranit pretendoi se dy anijet kishin shpërthyer pasi kishin goditur mina detare. Mediat shtetërore iraniane publikuan edhe pamje që, sipas tyre, paraqesin momentet e incidenteve.
Ndërkohë, ushtria iraniane njoftoi se edhe dy cisterna të tjera kishin goditur mina të enjten pasdite, teksa po lundronin në pjesën lindore të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas televizionit shtetëror iranian, këto anije kishin injoruar paralajmërimet, kishin çaktivizuar sistemet e radarëve dhe kishin hyrë në një zonë të kufizuar, ku më pas kishin marrë flakë.
Agjencia e lajmeve Reuters bëri të ditur se nuk kishte arritur të verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimet e autoriteteve iraniane.
Sulmet ndaj cisternave po vazhdojnë në Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht rritjes së qarkullimit të anijeve dhe pritjeve për uljen e tensioneve në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Këto zhvillime janë reflektuar edhe në rënien e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

