Interi ka vazhduar me startin perfekt në Serie A, duke regjistruar fitoren e katërt në po aq ndeshje. Zikaltrit triumfuan 5-3 ndaj Udineses, në një ndeshje spektakolare, ku mysafirët patën një avantazh prej dy golash, por skuadra e Cristian Chivut realizoi një përmbysje të madhe.
Udinese e nisi furishëm takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e nëntë. James Abankwah shënoi me kokë pas një krosimi brenda zonës, duke i dhënë mysafirëve avantazhin 0-1.
Vetëm shtatë minuta më vonë, Udinese shënoi edhe golin e dytë. Jurgen Ekkelenkamp u gjend në pozitë të mirë brenda zonës dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në rrjetë për 0-2.
Interi reagoi menjëherë dhe në minutën e 26-të e ngushtoi rezultatin. Carlos Augusto lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, e cila përfundoi në këndin e djathtë të portës së Maduka Okoyes.
Në minutën e 35-të erdhi edhe barazimi. Nicolo Barella u gjend i vetëm përballë portierit pas një pasimi të shkëlqyer dhe me një goditje të ulët realizoi për 2-2.
Okoye mbajti në lojë Udinesen me disa pritje të rëndësishme, veçanërisht ndaj Barellas dhe Marcus Thuramit, por në pjesën e dytë Interi e kompletoi përmbysjen.
Në minutën e 57-të, Marcus Thuram realizoi një gol të bukur pas një aksioni brenda zonës, duke e kaluar Interin në epërsi për herë të parë në këtë takim, 3-2.
Interi vazhdoi të sulmonte dhe në minutën e 67-të e çoi avantazhin në 4-2. Francesco Pio Esposito pranoi asistimin e Piotr Zielinskit dhe me qetësi e dërgoi topin në këndin e poshtëm të majtë.
Në minutën e 79-të, zikaltrit shënuan edhe golin e pestë. Pas një topi të kthyer në zonë, Ange-Yoan Bonny reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në rrjetë për 5-2.
Megjithatë, Udinese nuk u dorëzua deri në fund. Në minutat shtesë, Idrissa Gueye pranoi një pasim të Vakoun Issouf Bayos dhe me qetësi realizoi në këndin e poshtëm të djathtë për 5-3.
Ky ishte edhe rezultati përfundimtar i një ndeshjeje spektakolare në San Siro. Interi merr tri pikët dhe arrin në kuotën e 12 pikëve pas katër ndeshjeve, duke ruajtur startin perfekt dhe duke u pozicionuar në krye të Serie A. /Telegrafi/