Interi ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Bolognas, duke triumfuar me rezultat 3-1 në kuadër të javës së shtatë në Serie A.
Me këtë sukses, skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu shkon në kuotën e 19 pikëve dhe aktualisht kryeson tabelën e kampionatit italian.
Ndeshja nisi më mirë për Bolognan, e cila kaloi në epërsi në minutën e 10-të. Tommaso Pobega realizoi një aksion individual të bukur, duke depërtuar në zonë dhe duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të majtë të portës së Josep Martinezit.
Interi reagoi dhe në minutën e 44-t barazoi shifrat. Nicolo Barella harkoi saktë në zonë, ku Marcus Thuram u ngrit më lart se mbrojtësit kundërshtarë dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 1-1.
Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat, ndërsa në pjesën e dytë zikaltërit rritën presionin në kërkim të përmbysjes.
Pas disa rasteve të krijuara, Interi kaloi në epërsi në minutën e 69-të. Piotr Zielinski pasoi për Carlos Auguston, i cili nga afërsia nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-2.
Vetëm 12 minuta më vonë, Ange-Yoan Bonny realizoi atë që fillimisht dukej si goli i tretë i Interit. Megjithatë, pas rishikimit të aksionit përmes sistemit VAR, goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Bonny nuk u dorëzua dhe në minutën e 84-t e gjeti sërish rrugën drejt rrjetës. Pas një pasimi të Carlos Augustos, sulmuesi francez përfitoi nga hapësira e krijuar dhe shënoi në portën e zbrazët për rezultatin përfundimtar 3-1.
Kështu, Interi siguroi tri pikë të rëndësishme pas përmbysjes ndaj Bolognas, duke marrë përkohësisht kreun e Serie A me 19 pikë pas shtatë javësh./Telegrafi/

