KORREKT / SOT23 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Inteligjenca artificiale revolucionarizon Mercedesin

Inteligjenca artificiale revolucionarizon Mercedesin

Prodhuesi gjerman i veturave Mercedes-Benz synon të përshpejtojë ndjeshëm zhvillimin e modeleve të reja duke përdorur inteligjencën artificiale (IA).

Sipas Jörg Burzerit, drejtuesit të zhvillimit në kompani, koha nga fillimi i projektimit deri në gatishmërinë për prodhim serik pritet të shkurtohet nga 56 në vetëm 29 muaj, pra me rreth 27 muaj.

Për këtë qëllim, kompania po prezanton sistemin PLM.AI, i cili lidh proceset e zhvillimit, prokurimit, prodhimit, shitjes dhe shërbimeve pas shitjes. Synimi është që punonjësit të kenë qasje më të shpejtë në informacionet e nevojshme, të marrin vendime më të mira dhe të shkurtojnë kohën e zhvillimit të teknologjive të reja.

Një shembull i përfitimeve nga përdorimi i inteligjencës artificiale është simulimi i përplasjeve. Një proces që më parë u merrte inxhinierëve dy deri në tri javë, me ndihmën e sistemit të ri mund të përfundojë për vetëm dy orë.

Në disa procese inxhinierike, kompania pret rritje të efikasitetit deri në 50 për qind.

“Është thelbësore që gjithmonë të përshpejtohet procesi që zgjat më së shumti dhe që përcakton kohën e përgjithshme të zhvillimit”, theksoi Burzer.

Ai beson se kjo teknologji do t’i mundësojë Mercedes-Benzit të mbajë ritmin me konkurrentët nga Kina, të cilët po përshpejtojnë zhvillimin dhe prezantimin e modeleve të reja.

Mercedes-Benz po investon rreth 500 milionë euro në këtë teknologji dhe pret që investimi të shlyhet brenda tri deri në katër vjetësh.

Rezultatet e para të rëndësishme pritet të shihen te modelet që do të dalin në fund të vitit 2027 dhe gjatë vitit 2028. Në mesin e tyre janë një version më i vogël i G-Class dhe E-Class elektrike.

Megjithatë, përdorimi i inteligjencës artificiale mund të ndikojë edhe në numrin e të punësuarve. Teknologjia mund të marrë përsipër disa detyra, veçanërisht në programim, ndërsa kompania synon që njohuritë dhe përvoja e punonjësve të shfrytëzohen edhe në pozita të tjera.

Objektivi kryesor i Mercedes-Benzit është të përshpejtojë zhvillimin e modeleve të reja, të ulë kostot dhe të ruajë konkurrueshmërinë ndaj prodhuesve kinezë, pa bërë kompromis me standardet e cilësisë dhe sigurisë. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.