KORREKT / SOT6 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Inteligjenca artificiale po ndihmon policinë të zbulojë veprat e vjedhura të artit

Inteligjenca artificiale po ndihmon policinë të zbulojë veprat e vjedhura të artit

Vjedhjet e veprave të artit mbeten një problem global, ndërsa autoritetet policore po përballen me vështirësi në gjurmimin dhe rikuperimin e tyre. Megjithatë, inteligjenca artificiale po ofron një mundësi të re në këtë luftë, duke identifikuar edhe detaje pothuajse të padukshme për syrin e njeriut.

Një shembull i tillë vjen nga Italia, ku një sistem i posaçëm i inteligjencës artificiale ndihmoi policinë të zbulonte një pikturë të vjedhur, e cila ishte ndryshuar qëllimisht për të fshehur identitetin e saj.Ngjarja ndodhi në tetor të vitit 2024, gjatë panairit vjetor të antikuareve në Parma. Oficerët e njësisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore fotografuan veprat e ekspozuara nëpër stenda dhe më pas i ngarkuan imazhet në një databazë të posaçme. Vetëm disa orë më vonë, sistemi sinjalizoi një pikturë ku paraqitej një grua e re, me veshje ngjyrë akuamarin dhe të kuqe, duke mbajtur një pergamenë pjesërisht të hapur.

Të nesërmen, policia ndërhyri dhe e sekuestroi veprën për ekzaminime të mëtejshme. Dyshimet rezultuan të bazuara: piktura ishte në fakt një vepër e shekullit XVII, që paraqiste Shën Anjezën, e vjedhur më 11 gusht 2004 nga kisha Virgo Potens në Sulmona, pranë Napolit.

Piktura, rreth një metër e lartë, ishte ndryshuar për ta bërë më të vështirë identifikimin. Qengji i bardhë dhe dega e palmës që mbante shenjtorja ishin zëvendësuar me një pergamenë, ndërsa aureola dhe elemente të tjera dalluese ishin fshirë, duke e shndërruar figurën në portretin e një gruaje të re.

Zbulimi u mundësua nga sistemi Swoads (Stolen Works of Art Detection System), një teknologji e zhvilluar nga policia italiane, e cila përdor inteligjencën artificiale për të krahasuar imazhet e veprave të artit me të dhënat e miliona objekteve të raportuara të vjedhura.

Sipas nënkolonelit Salvatore Rapicavoli, pjesëtar i njësisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, sistemi është vënë në funksion në nëntor të vitit 2023 dhe ka rritur ndjeshëm mundësitë e policisë për identifikimin e veprave të humbura. Që nga prezantimi i tij, ai ka ndihmuar në rikuperimin e më shumë se 300 pikturave dhe skulpturave të mëdha, si dhe mbi 165 mijë objekteve më të vogla, përfshirë monedha, medalje, dorëshkrime, letra, objekte fetare dhe pulla postare. Vlera e përgjithshme e tyre tejkalon 203 milionë euro.Databaza italiane e artefakteve të vjedhura, e krijuar në vitin 1969, përmban më shumë se një milion objekte kulturore dhe konsiderohet më e madhja në botë. Për vite me radhë, policët i krahasonin manualisht veprat e ekspozuara në panaire, dyqane antikuarësh dhe ankande me fotografitë e ruajtura në këtë sistem. Proces që kërkonte shumë kohë dhe shpeshherë nuk arrinte të identifikonte ndryshimet e vogla në vepra.

Swoads analizon ngjyrat, format, modelet dhe siluetat, duke identifikuar ngjashmëri edhe kur një pikturë është ndryshuar, dëmtuar apo ndarë në pjesë. Sistemi tashmë mund të monitorojë vazhdimisht edhe platformat e shitjeve online, rrjetet sociale dhe hapësira të tjera të internetit, duke krahasuar imazhet e publikuara me databazën e veprave të vjedhura.

Një tjetër rast i rëndësishëm u regjistrua në vitin 2026 në Torino, ku e njëjta teknologji ndihmoi në rikuperimin e pikturës “Riposo Della Pastorella” të Filippo Palizzit. Vepra ishte vjedhur në qershor të vitit 1972 nga një galeri e artit modern dhe u identifikua pasi u shfaq në një faqe interneti të një shtëpie ankandesh.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se inteligjenca artificiale nuk mund ta zëvendësojë punën e hetuesve. Carina Popovici, bashkëthemeluese e kompanisë Art Recognition, e cila përdor inteligjencën artificiale për autentifikimin e veprave të artit, vlerëson se këto sisteme janë një ndihmë e rëndësishme, por nuk mund të zbulojnë autorët e vjedhjeve apo objektet që nuk janë raportuar paraprakisht.

Edhe Timothy Carpenter, ish-drejtues i ekipit të FBI-së për krimet ndaj artit, thekson se teknologjia duhet të shoqërohet me ekipe të specializuara që shqyrtojnë sinjalizimet dhe ndjekin pistat e krijuara nga algoritmet. Sipas tij, një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e burimeve njerëzore dhe vështirësia për të identifikuar objektet tredimensionale, si vazot dhe skulpturat, të fotografuara nga kënde të ndryshme.

Ndërkohë, teknologji të ngjashme po zhvillohen edhe në vende të tjera. Turqia, Franca dhe Gjermania kanë krijuar sistemet e tyre për identifikimin e objekteve të vjedhura, ndërsa në Shtetet e Bashkuara studiuesit po përdorin algoritme për të gjurmuar skulptura të mundshme të vjedhura nga Kamboxhia dhe vepra të grabitura gjatë periudhës naziste.

Edhe Interpoli ka zhvilluar aplikacionin ID-Art, i cili mundëson kërkimin e objekteve kulturore përmes fotografive dhe lidhjen e databazave në nivel ndërkombëtar. Ky sistem ka ndihmuar së fundmi autoritetet spanjolle të rikuperojnë dy tavolina të vjedhura të periudhës së Rilindjes, më shumë se 40 vjet pas grabitjes, si dhe tri monedha ari të Perandorisë Romake.

Ekspertët paralajmërojnë se inteligjenca artificiale mund të përdoret edhe nga vetë trafikantët, të cilët mund ta shfrytëzojnë për të manipuluar fotografi, për të krijuar dokumente të rreme të prejardhjes së veprave apo edhe për të prodhuar imazhe të objekteve që nuk ekzistojnë.

Pavarësisht sfidave, synimi i autoriteteve italiane është që deri në vitin 2027 të krijojnë një rrjet ndërkombëtar të ndërlidhur për identifikimin e trashëgimisë kulturore të vjedhur, duke e bërë më të vështirë trafikimin e saj përtej kufijve./KultPlus

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.