Një punëtor i postës së shpejtë është arrestuar nën dyshimin se kishte inskenuar një grabitje për të përvetësuar 1400 euro.
I dyshuari Xh.K kishte raportuar se dy persona të dyshuar, nën kërcënimin e një thike, i kishin marrë një çantë me 1400 euro më 20.02.2026, rreth orës 12:00, në fshatin Llazicë të Komunës së Malishevës.
Sipas organeve kompetente, pas pranimit të informatës, njësitet relevante policore në kuadër të Stacionit Policor në Malishevë dhe Sektorit Rajonal të Hetimeve “kanë reaguar menjëherë, duke ndërmarrë veprime intensive hetimore, përfshirë sigurimin e vendit të ngjarjes, mbledhjen dhe analizimin e provave, si dhe intervistimin e ankuesit”.
“Si rezultat i punës profesionale, hetimeve të shpejta dhe analizës së gjithanshme të provave nga zyrtarët policorë, është arritur të konstatohet se rasti i raportuar nuk kishte ndodhur dhe ishte inskenuar nga vet ankuesi me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të mjeteve financiare”, theksohet në njoftim.
I dyshuari ka pranuar rastin dhe ka treguar vendin ku i kishte fshehur të hollat, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar. Policia njofton se mjetet financiare janë kthyer te pala përkatëse.
Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lajmërim apo kallëzim i rremë”, dhe i njëjti është ndaluar në mbajtje për 48 orë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në trajtimin profesional të çdo rasti, duke dëshmuar gatishmëri dhe efikasitet në zbardhjen e shpejtë të rasteve dhe në vendosjen e rendit dhe ligjit”, përfundon njoftimi i Policisë.