Inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 6.5 për qind në muajin korrik 2026, derisa krahasuar me qershorin çmimet e konsumit janë rritur për 0,6 për qind.
Kështu bëhet e ditur në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK).
Sipas ASK-së, rritja më e madhe vjetore e çmimeve është regjistruar në transport, me 17,8 për qind, pasuar nga strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 11,1 për qind.
Rritje prej 5,3 për qind është shënuar te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, si dhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit.
Çmimet në shëndetësi janë ngritur për 4 për qind, ndërsa kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme janë shtrenjtuar për 3,7 për qind.
Veshjet dhe këpucët kanë shënuar rritje prej 2,8 për qind, ushqimet dhe pijet joalkoolike 2,7 për qind, mobiliet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e shtëpisë 2,5 për qind, ndërsa rekreacioni, sporti dhe kultura 2,3 për qind.
Në anën tjetër, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, rënie e çmimeve është regjistruar te shërbimet arsimore për 0,5 për qind dhe te informacioni dhe komunikimi për 0,1 për qind.
Në nivel mujor, IHÇK-ja është rritur për 0,6 për qind në korrik krahasuar me qershorin 2026.
Edhe në këtë krahasim, transporti ka pasur ndikimin kryesor, me ngritje të çmimeve prej 4,3 për qind. Rekreacioni, sporti dhe kultura janë shtrenjtuar për 1,9 për qind, ndërsa restorantet dhe shërbimet e akomodimit për 1 për qind.
Rritje më e vogël është evidentuar te kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme me 0,4 për qind, veshjet dhe këpucët me 0,3 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët e shërbimet arsimore me nga 0,1 për qind.
Ndërkaq, ushqimet dhe pijet joalkoolike janë liruar për 1 për qind krahasuar me qershorin. Rënie prej 0,6 për qind është shënuar te mobiliet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore, ndërsa te shëndetësia dhe informacioni e komunikimi çmimet kanë rënë për nga 0,1 për qind.
Ndryshe, çmimet e konsumit janë rritur për 6% në qershorin e këtij vitit krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin qershor 2026, krahasuar me muajin qershor 2025.
