Konflikti që nisi në klasë, gati përfundoi me dhunë fizike në kabinet.
Nxënësi i klasës së nëntë në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në kryeqytet, për pak sa nuk e rrahu mësimdhënësin e Teknologjisë brenda institucionit.
Për krejt çka ndodhi, nuk deshën të flasin nga menaxhmenti i shkollës, të enjten.
Veçse, drejtoresha e shkollës, Myrvete Bahtiri- Tahiri, përmes telefonit ia konfirmoi Klanit, se ngjarja kishte ndodhur të mërkurën gjatë procesit mësimor dhe se me të po merret policia.
Nga këta të fundit u konfirmua se rastin e lajmëroi vetë arsimtari.
Këshilli i Prindërve në nivel lokal i thanë televizionit se për ngjarjen morën vesh tek pasi u kontaktuan nga Klan Kosova. Ndërkaq, që gjatë ditës as për ta drejtoresha e shkollës nuk ishte e qasshme.
Edhe kontaktimi me drejtorin e Arsimit për masat që do i ndërmarrë qe i pamundur gjatë ditës, ngase Arianit Elshani, pavarësisht premtimit se një përgjigje do e jap, pasdite s’u bë i gjallë.
Sidoqoftë, një njohës i fushës po thotë faji është i dyanshëm.
Ky nuk është rasti i parë i dhunës në shkolla mes mësimdhënësve dhe nxënësve, ngase një gjë e tillë kishte ndodhur edhe para pak muajsh në shkollën Pavarësia.

