Trepça dhe Bashkimi përballen sonte (e martë) në finalen e Superkupës së Kosovës në basketboll, në një duel që pritet të sjellë emocione të mëdha në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Finalja zhvillohet nga ora 19:00, ndërsa dy skuadrat do të kërkojnë trofeun e parë të sezonit.
Kjo finale ka një veçanti edhe për dy figura të njohura të basketbollit kosovar që kanë folur për Telegrafin para kësaj ndeshjeje. Bëhet fjalë për Ilir Selmanin dhe Valentin Spaqin, dy ish-basketbollistë që kanë veshur fanellat e dy skuadrave që sonte do të përballen për trofe.
Selmani ka qenë pjesë e Trepçës për një periudhë të gjatë të karrierës së tij, ndërsa Spaqi ka luajtur për Bashkimin në periudha të ndryshme.
I pari e sheh duelin si një përballje ku të dyja skuadrat kanë lojtarë me cilësi, ndërsa përgatitja psikologjike mund të luajë rol të rëndësishëm.
“Shpresoj të jetë një lojë e fortë nga të dy ekipet. Edhe Trepça, edhe Bashkimi kanë në radhët e veta lojtarë cilësorë vendorë dhe të huaj, të cilët e kanë dëshmuar edhe më herët”, ka thënë Selmani për Telegrafin.
“Trepçën e kam përcjellë në lojën e fundit, e cila ishte e hendikepuar pa dy lojtarë, për të cilët besoj se sot do të paraqiten në parket”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, Selmani ka vlerësuar edhe startin e Bashkimit në kampionat, pasi skuadra prizrenase kishte regjistruar dy fitore në dy ndeshjet e para.
“Bashkimi këtë sezon prej dy ndeshjeve ka dy fitore dhe sot hyn në garë me mentalitet fituesi. Është vetëm një lojë dhe s’ka mundësi për të përmirësuar asgjë dhe për atë mendoj se ajo ekip e cila është më e përgatitur në aspektin psikik do të ketë përparësi”.
“Këtë përparësi do ta shfrytëzojë Trepça pasi në radhët e tyre kanë lojtarë me përvojë të madhe, gjë që nuk mungon as te Bashkimi”, ka thënë Selmani.
“Nuk do të kisha përmendur individ që mund ta vendosin fituesin e takimit, por ajo ekip që ka përqendrim më të madh dhe rotacion më të madh gjatë lojës do të stoliset me Superkupë. Trepça këtë e ka dëshmuar në vitet e fundit”, ka shtuar Selmani.
Përtej parketit, Selmani ka folur edhe për atmosferën që pritet të krijohet në Rahovec, ku sipas tij tifozët e të dyja skuadrave do t’i japin një tjetër dimension finales.
“Në fund shpresoj të jetë një atmosferë sportive, pasi sipas informatave që kam do të udhëtojnë edhe tifogrupet e të dy ekipeve, që do ta hijeshojnë dhe madhështojnë këtë ditë të finales së Superkupës”, përfundoi Selmani.
Në anën tjetër, edhe Spaqi e konsideron finalen si një përballje shumë të balancuar, por vëren disa elemente ku Bashkimi mund të ketë përparësi.
“Sipas mendimit tim janë pothuajse dy skuadra të barabarta, ku i kanë avantazhet dhe disavantazhet e veta. Me një nuancë, si skuadër dhe lojtarë më të mirë të dëshmuar në pozitën 1, Myles, dhe në pozitën 4, Bailey, te Bashkimi mendoj se në këto pozita kanë një përparësi”, ka thënë Spaqi për Telegrafin.
Ai ka folur edhe për rëndësinë e stafit teknik, duke veçuar përvojën e trajnerit të Trepçës, Adis Beqiragiq.
“Sa i përket stafit, sigurisht se Beqiragiq ka përvojë të madhe. Te Bashkimi pres angazhim dhe vigjilencë më të madhe te asistent-trajnerët, sikurse te Trepça” është shprehur Spaqi.
Përballja e sotme vjen në një periudhë kur rivaliteti mes këtyre dy skuadrave është bërë edhe më interesant, sidomos pas dy finaleve radhazi në kampionat.
Në edicionin 2024/25, Trepça e mposhti Bashkimin 4:2 në serinë finale, ndërsa një vit më vonë, në finalen e sezonit 2025/26, dy skuadrat u takuan sërish për titullin e kampionit, me Trepçën që e mbylli serinë me rezultat 4:0.
Ndërkohë edhe dy finalet e fundit të Kupës së Kosovës të zhvilluara mes këtyre dy skuadrave, kanë nxjerrë Trepçën fituese./Telegrafi/