Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Ilir Krasniqi, ka folur në një intervistë për Indeksonline.net për paraqitjet me fanellën e Dardanëve, statistikat personale në UEFA Nations League, bashkëpunimin me kolegët në repartin defensiv, si dhe përvojën e tij te Polissya në Ukrainë. Futbollisti kosovar ka zbuluar gjithashtu se ka pasur interesime nga disa klube, por për momentin është i përqendruar te përfundimi sa më i mirë i sezonit.
Ilir Krasniqi është një prej futbollistëve që ka fituar vëmendje me paraqitjet e tij në fanellën e Kosovës.
Në një intervistë për Indeksonline.net, Krasniqi ka treguar se përfaqësimi i Kosovës është shumë më tepër sesa një përgjegjësi sportive. Për të, veshja e fanellës së vendit është një ëndërr e fëmijërisë, të cilën e vlerëson jashtëzakonisht shumë.
“Për mua, fanella e Kosovës do të thotë gjithçka. Që nga fëmijëria jam rritur me ëndrrën që një ditë ta vesh këtë fanellë dhe të djersitem për vendin tim. Prandaj, e vlerësoj jashtëzakonisht shumë këtë privilegj dhe mundohem të jap më të mirën nga vetja sa herë që më jepet mundësia”, ka deklaruar Krasniqi për Indeksonline.net.
Ai ka shpjeguar edhe arsyen pse paraqitet me kaq motivim dhe vendosmëri sa herë që luan për përfaqësuesen, duke theksuar se dëshira për të kontribuar për vendin është shtysa kryesore.
“Besoj se dëshira e madhe për të dhënë kontributin tim për Kosovën më bën të ndihem jashtëzakonisht mirë. Kjo më motivon që në çdo ndeshje të jap maksimumin dhe të përfaqësoj vendin tim me krenari”, është shprehur ai.
Një prej statistikave që e veçon Krasniqin është ajo e ndërhyrjeve të sakta në UEFA Nations League 2026. Me 20 ndërhyrje të suksesshme, ai është renditur i pari në këtë kategori.
Megjithatë, mbrojtësi nuk e sheh këtë statistikë si arsye për t’u kënaqur me atë që ka arritur, por si motiv shtesë për të vazhduar përmirësimin.
“Po, kjo kampanjë, sa i përket kësaj statistike, ka qenë mjaft e mirë. Njëkohësisht, kjo më jep edhe më shumë motivim për të punuar, për t’u përmirësuar vazhdimisht dhe për të vazhduar rritjen time si lojtar”, ka thënë Krasniqi.
Gjatë ndeshjeve të fundit, Kosova është përballur edhe me mungesa të rëndësishme në mbrojtje, përfshirë Lumbardh Dellovën dhe Albian Hajdarin. Krasniqi e pranon rëndësinë e tyre për ekipin.
“Po, Dellova dhe Hajdari kanë rolin e tyre shumë të rëndësishëm në Kombëtare. Pa dyshim, mungesa e tyre është e madhe, por ne jemi munduar ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të jemi të bashkuar dhe të japim maksimumin për ta përballuar sa më mirë këtë situatë”, ka deklaruar ai.
Në këtë periudhë, Krasniqi ka ndarë repartin defensiv me Kreshnik Hajririn dhe Lindrit Kamberin. Duke folur për bashkëpunimin me ta, ai vlerëson cilësitë e dy bashkëlojtarëve dhe punën e bërë nga mbrojtja, veçanërisht duke pasur parasysh se kanë luajtur për herë të parë së bashku në një sistem me tre mbrojtës.
“Po, së bashku jemi munduar të japim maksimumin dhe të kemi paraqitje sa më stabile. Duke pasur parasysh se kemi luajtur për herë të parë në treshe, mendoj se kemi bërë një punë të mirë. Si Kreshniku, ashtu edhe Lindriti janë lojtarë me shumë kualitet dhe besoj se secili prej nesh ka dhënë më të mirën nga vetja për ta ndihmuar ekipin”, ka theksuar futbollisti.
Sa i përket edicionit të UEFA Nations League, Krasniqi është shprehur i kënaqur me arritjen e objektivit kryesor të Kosovës: mbetjen në Ligën B. Megjithatë, ai lë të kuptohet se ambiciet e skuadrës nuk përfundojnë këtu.
“Që nga fillimi, objektivi ynë ka qenë të qëndrojmë në Ligën B dhe jam i lumtur që kemi arritur këtë synim. Normalisht, kur arrin një objektiv të tillë, ndihesh mirë dhe kjo të jep motivim për të vazhduar përpara dhe për të synuar gjëra edhe më të mëdha”, ka thënë ai për Indeksonline.net.
Përveç paraqitjeve me Kosovën, Krasniqi është duke ndërtuar karrierën e tij në Ukrainë, ku aktualisht është pjesë e Polissyas.
“Po, te Polissya po kaloj një periudhë shumë të mirë. Ky klub ka ndikuar shumë në rritjen dhe zhvillimin tim si lojtar, sidomos duke pasur parasysh se kemi një ekip shumë të mirë dhe konkurrues. Besoj se kjo është një mundësi e mirë për mua që të vazhdoj të përmirësohem dhe të bëj hapa të tjerë në karrierën time”, ka deklaruar mbrojtësi.
Një prej temave për të cilat Krasniqi është pyetur është edhe vështirësia e të luajturit në kampionatin ukrainas, duke pasur parasysh situatën në vend.
“Po, natyrisht që situata në vendin ku luajmë nuk është e lehtë. Megjithatë, kjo nuk ndikon shumë në aspektin sportiv, pasi ne mundohemi të vazhdojmë punën dhe të përqendrohemi maksimalisht në futboll, duke i kryer detyrat tona në mënyrën më profesionale të mundshme”, ka treguar ai.
Në fund, mbrojtësi kosovar ka konfirmuar se gjatë periudhës së fundit ka pasur interesime nga klube të tjera. Megjithatë, për momentin nuk dëshiron të shpërqendrohet nga objektivat me Polissyan.
“Po, kemi pasur interesime nga disa klube edhe gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, për momentin jam i fokusuar që ta përfundojmë sezonin sa më mirë dhe më pas, së bashku me menaxherin tim, do t’i shqyrtojmë mundësitë”, ka bërë të ditur Krasniqi.
Ai ka nënvizuar se synimi i tij mbetet vazhdimi i punës dhe përkushtimit, me bindjen se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen objektivat e vendosura.
“Po, normalisht. Çdo herë mundohem të punoj dhe të përkushtohem sa më shumë, sepse besoj se vetëm përmes punës së vazhdueshme dhe përkushtimit mund të arrish objektivat që i vendos vetes”, ka përfunduar Ilir Krasniqi në intervistën për Indeksonline.net/Granit Tërstena/

