Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, duke theksuar se cilësia e ajrit në vend vazhdon të paraqesë rreziqe serioze për shëndetin publik.
Sipas ekspertëve, ndotja e ajrit kontribuon drejtpërdrejt në sëmundjet kardiovaskulare, të frymëmarrjes dhe në rritjen e vdekshmërisë së parakohshme.
Raporti tregon se qyteti më i ndotur mbetet Prishtinë, ndërsa nivele të larta të grimcave PM10 dhe PM2.5 janë regjistruar edhe në Drenas, Mitrovicë, Hani i Elezit, Obiliq dhe Gjilan.
Sipas të dhënave nga 12 stacionet automatike të monitorimit të ajrit të Institutit Hidrometeorologjik, tejkalime të vlerave maksimale ditore janë konstatuar vazhdimisht, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë, kur shtohet përdorimi i ngrohjes.
Ekspertët e IKSHPK-së paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren masa urgjente, ndikimi në shëndetin e qytetarëve do të jetë shqetësues, duke përfshirë rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore.
Për të adresuar këtë problem, IKSHPK ka propozuar një seri masash për qeverinë dhe komunat, duke përfshirë: miratimin e standardeve të cilësisë së ajrit sipas udhëzimeve të BE-së, zhvillimin e Programit Kombëtar për përmirësimin e ajrit, implementimin e planeve lokale të veprimit për qytetet më të ndotura, programe kombëtare për reduktimin e aerondotjes dhe masa të tjera në nivelin urban dhe industrial.
Instituti ka renditur gjithashtu tetë masa specifike prioritare:
- Kontroll teknik rigoroz i automjeteve
- Mirëmbajtja e rrugëve dhe menaxhimi i mbeturinave të ngurta
- Monitorim i vazhdueshëm i filtrave të termocentraleve
- Ndalimi i përdorimit të thëngjillit për ngrohje në amvisëri dhe industri të vogla
- Përdorimi i transportit publik në vend të automjeteve private
- Krijimi i një sistemi të integruar të informatave për emergjencat
- Ndalimi i duhanpirjes në ambiente publike dhe të punës
- Ngritja e zonave gjelbëruese mes zonave industriale dhe të banimit
Sipas IKSHPK-së, tejkalime të vazhdueshme të grimcave PM10 janë regjistruar gjatë muajve janar, shkurt, nëntor dhe dhjetor të vitit 2025 në pothuajse të gjitha stacionet e monitorimit, duke vënë në pah nevojën urgjente për ndërhyrje sistematike.
Raporti i IKSHPK-së rikujton se përmirësimi i cilësisë së ajrit nuk është vetëm çështje mjedisore, por një prioritet i drejtpërdrejtë për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/