Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se nga 16 prilli deri më 27 shtator 2026 janë konfirmuar 180 raste me fruth në Kosovë.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar tetë raste të reja.
Instituti ka theksuar se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara me fruth u përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR.
Për shkak të situatës me fruthin, IKShPK ka intensifikuar, përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, edhe vaksinimin e vonuar për fëmijët që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar me kohë.
Sipas institutit, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç në kuadër të vaksinimit të vonuar.
IKShPK ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e shkallës së vaksinimit.
“Vaksinimi është mbrojtja më e mirë – së bashku mbrojmë shëndetin e fëmijëve!”, thuhet në komunikatën e IKShPK-së.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë me vaksinimin e rregullt të fëmijëve dhe me vaksinimin e vonuar, me qëllim të rritjes së mbrojtjes ndaj fruthit. /Telegrafi/