Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 dëshmon për probleme serioze në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe zbatimin e reformave.
Sipas IKD-së, gjetjet e raportit tregojnë se Kosova vazhdon të përballet me sfida të përsëritura, të cilat janë evidentuar edhe në raportet e viteve të kaluara, por që nuk janë adresuar në mënyrë të qëndrueshme nga institucionet përgjegjëse, transmeton Klankosova.tv.
Veçanërisht shqetësues, sipas IKD-së, është vlerësimi i Komisionit Evropian se Kosova nuk ka shënuar progres në funksionimin e gjyqësorit. Ky vlerësim paraqet përkeqësim krahasuar me tri vitet paraprake, kur progresi ishte cilësuar si i kufizuar.
IKD thekson se raporti evidenton gjithashtu zhvillime shqetësuese në respektimin e të drejtave themelore dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Instituti vlerëson se këto probleme nuk janë të izoluara, por pasqyrojnë mangësi strukturore, vonesa në reforma dhe mungesë të përgjegjësisë institucionale.
Mungesa e progresit në drejtësi dhe luftimin e korrupsionit
Në fushën e drejtësisë, IKD konsideron se sistemi vazhdon të përballet me sfida që ndërlidhen me pavarësinë, llogaridhënien, efikasitetin dhe funksionimin institucional.
Sipas institutit, shqetësuese janë edhe konstatimet për ndikime të papërshtatshme politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë.
Sa i përket luftimit të korrupsionit, IKD vlerëson se raporti evidenton progres të kufizuar dhe mungesë të rezultateve të qëndrueshme, veçanërisht në trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Instituti thekson se Kosova ende nuk ka një kornizë strategjike gjithëpërfshirëse për luftimin e korrupsionit dhe se nevojiten institucione të pavarura, hetime profesionale dhe rezultate të matshme.
Kriza institucionale pengoi reformat
IKD vlerëson se kriza politike dhe institucionale që e ka përcjellë Kosovën që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 ka ndikuar negativisht në zbatimin e reformave dhe agjendën e integrimit evropian.
Sipas institutit, bllokadat në funksionimin e institucioneve, zgjedhjet e përsëritura dhe vonesat në vendimmarrje kanë penguar procesin legjislativ dhe mbikëqyrjen parlamentare.
Në raport, sipas IKD-së, evidentohen gjithashtu probleme në reformën e administratës publike, përfshirë profesionalizimin e shërbimit civil, rekrutimin mbi bazën e meritës dhe llogaridhënien.
IKD ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e transparencës dhe parregullsitë në përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së dhe RTK-së, si dhe për krizën financiare të transmetuesit publik.
IKD kërkon përgjegjësi institucionale
IKD u ka bërë thirrje Kuvendit, Qeverisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për adresimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian.
Instituti kërkon përcaktimin e përgjegjësive të qarta institucionale, afateve të matshme dhe mekanizmave transparentë të raportimit.
Sipas IKD-së, prioritet duhet t'u jepet reformave që forcojnë pavarësinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit dhe prokurorisë, përmirësojnë luftimin e korrupsionit dhe sigurojnë funksionimin efektiv të institucioneve.
“ Kosova nuk ka nevojë për përsëritjen e premtimeve për reforma, por për institucione funksionale, përgjegjësi politike dhe rezultate të matshme”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Instituti thekson se vazhdimi i stagnimit dhe përkeqësimi i gjendjes në sundimin e ligjit dëmtojnë jo vetëm procesin e integrimit evropian, por edhe të drejtën e qytetarëve për drejtësi efektive, siguri juridike dhe qeverisje të përgjegjshme./Klankosova.tv/.

