Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kundërshtuar mënyrën e largimit të Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e cilësuar vendimmarrjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) si të ngutshme dhe jotransparente.
IKD, përmes një reagimi të premten, ka thënë se emërimi dhe largimi i kryeprokurorëve duhet të zhvillohet përmes një procesi të drejtë, të pavarur, profesional dhe transparent.
Sipas IKD-së, KPK ka dështuar ta bindë publikun për arsyen dhe qëllimin e mbajtjes së një takimi të jashtëzakonshëm dhe të mbyllur, në të cilin u vendos për largimin e Isufajt.
Instituti ka theksuar se, para takimit, i kishte kërkuar KPK-së që çdo veprim lidhur me drejtimin e PSRK-së të ndërmerrej përmes një procesi të bazuar në ligj dhe me respektimin e garancive procedurale.
KPK, në komunikatën e saj pas vendimit, kishte përmendur konstatime për keqmenaxhim, jokompetencë, mospërmbushje të detyrave dhe mungesë të performancës në PSRK.
IKD ka kërkuar sqarime se çfarë veprimesh mbikëqyrëse dhe vlerësuese kishte ndërmarrë KPK gjatë katër viteve, periudhë për të cilën, sipas KPK-së, ishin shfaqur problemet në menaxhimin e PSRK-së.
“Probleme të pretenduara ndër vite nuk e arsyetojnë vetvetiu urgjencën e vendimmarrjes”, ka thënë IKD.
Instituti ka theksuar se llogaridhënia është e domosdoshme për sistemin prokurorial, por ajo, sipas tij, duhet të realizohet përmes procedurave të qarta, vlerësimit objektiv dhe respektimit të garancive procedurale.
IKD ka rikujtuar edhe rastin e shkarkimit të Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke thënë se Gjykata Supreme e kishte anuluar atë vendim si të kundërligjshëm. Sipas IKD-së, KPK duhet të nxjerrë mësime nga ky rast dhe të shmangë praktikat e vendimmarrjes së ngutshme.
Në reagim, IKD ka ngritur gjithashtu shqetësime për perceptimin e mundshëm të ndikimit politik. Instituti ka përmendur se Isufaj ishte kritikuar dhe, sipas tij, “targetuar si person i padëshirueshëm” nga Lëvizja Vetëvendosje, duke vlerësuar se vendimmarrja e KPK-së, pa një arsyetim bindës, mund të cenojë besimin e publikut për një proces të drejtë dhe jopolitik.
IKD ka theksuar se, për shkak të mandatit të PSRK-së në trajtimin e rasteve të ndjeshme, përfshirë krimin e organizuar dhe atë transnacional, KPK ka përgjegjësi të shtuar që mënyra e veprimit të tij të mos krijojë perceptime për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të kësaj prokurorie.
“Një vendim që prek drejtimin e një prokurorie me mandat të veçantë kërkon arsyetim konkret, të verifikueshëm dhe bindës, përfshirë shpjegimin se përse largimi është masa e nevojshme dhe proporcionale”, thuhet në reagimin e IKD-së.