Nga: David Grossman, drejtor ekzekutiv i kompanisë për konsulencë për lidership dhe komunikim, The Grossman Group / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Deri në gusht, punëdhënësit amerikanë e përmendën IA-në [inteligjencën artificiale] në më shumë se 116 000 shkurtime të njoftuara vendesh pune. Vetëm kompanitë e teknologjisë njoftuan më shumë se 155 000 pushime nga puna. Meta eliminoi afërsisht 8 000 pozita ndërsa po riorganizohej rreth IA-së. Atlassian shkurtoi rreth 1 600 vende pune dhe tha, troç, se IA-ja ndryshon numrin e njerëzve që i nevojiten.
Disa kompani e përmendin IA-në si arsye. Të tjerat i përmendin “nevojat e biznesit”, teksa investimi në IA gjendet në të njëjtin dokument. Sido që të jetë, punonjësit e kuptojnë mesazhin: kompania beson se makinat tani mund të kryejnë punët të cilat dikur i bënin njerëzit.
Ky është vendim biznesi. Mënyra se si udhëheqësit e komunikojnë atë është çështje njerëzore.
Në këtë moment, teksa kompanitë po zëvendësojnë njerëzit me teknologji, shumë prej tyre po e komunikojnë vendimin në mënyrat të cilat i bëjnë ata njerëz të ndihen edhe më të zëvendësueshëm. Punonjësit mësojnë për fatin e tyre përmes letrave masive elektronike [email], llogarive të bllokuara ose profileve të zhdukura në Slack. Menaxherët ndonjëherë nuk mund të shpjegojnë se çfarë u ndodhi ekipeve të tyre. Ata që mbeten marrin pak ose aspak njohuri për atë që kanë parë apo për atë që tani u kërkohet të durojn;.
E kam kaluar karrierën duke ndihmuar udhëheqësit të komunikojnë nëpër momentet e tyre më të vështira dhe kam qenë në dhomë ku hartoheshin njoftimet për pushime nga puna. Pushimet nga puna janë gjëja më e vështirë që një udhëheqës duhet ndonjëherë të thotë. IA-ja i ka bërë ato më të shpeshta dhe, në një numër gjithnjë e më të madh kompanish, më pak njerëzore.
Tri kompani e shpërfaqin përmasën e kësaj.
Drejtori ekzekutiv [CEO] i Atlassian-it, Mike Cannon-Brookes, shkroi se do të ishte “jo e sinqertë” të shtirej sikur IA-ja nuk e ndryshon numrin e roleve të nevojshme në disa fusha. Ai e përmendi arsyen dhe e nënshkroi me emrin e vet. Punonjësit mund të mos pajtoheshin me vendimin. Nuk mund të thoshin se nuk e kuptonin atë.
Edhe Meta dha një arsye. Pastaj një rrjedhje informacioni në shtyp e detyroi lajmërimin më të hershëm; punonjësit pritën katër javë për të mësuar se kush prekej dhe letrat e elektronike të shkarkimit nga puna mbërritën valë-valë në orën katër të mëngjesit – sipas kohës lokale.
Letra e Oracle-it nuk përmendi as arsye, as personat. Citonte “ndryshime më të gjera organizative” dhe “nevojat aktuale të biznesit”. Ishte nënshkruar nga “Udhëheqja e Oracle-it”.
Distanca mes këtyre qasjeve është distanca të cilën një udhëheqës është i gatshëm të mbajë nga pasojat e vendimit.
Brenda një kompanie, vendimi për fuqinë punëtore bëhet çështje numrash. Duhet. Udhëheqësve u duhen modelet, skema organizativet, supozimet për produktivitetin dhe planet financiare. IA-ja po e rrit peshën e të gjitha këtyre, teksa kompanitë vendosin se cilat punë mund të automatizohen dhe sa njerëz i duhen një funksioni.
Askush nuk mund t’i peshojë 8 000 jetë përballë një plani kapital.
Rreziku lind kur abstraksioni vazhdon deri te vetë punonjësi. Një rol zhduket nga skema organizative, sepse një model thotë se IA-ja mund ta absorbojë punën. Personi në atë rol megjithatë meriton ta dëgjojë këtë nga një person tjetër.
Abstraksioni është gjithashtu një vend për t’u fshehur. Njoftimi i pushimit nga puna është një nga gjërat më ekspozuese që bën ndonjë udhëheqës. Çdo zgjedhje që krijon distancë – eufemizmi korporativ, letra elektronike e orës katër të mëngjesit, shënimi pa nënshkrim – është më e sigurt për udhëheqësin sesa për punonjësin.
Dhe, përbrenda kompanisë, çdo pjesë e atij mëngjesi në Oracle mbrohet. Siguria dëshiron që kredencialet të çaktivizohen para se dikush të mund të kopjojë të dhënat. Departamenti ligjor dëshiron një letër të vetme të standardizuar në vend të mijëra bisedave të paskriptuara. Drejtuesit duan që gjithçka të përfundojë brenda një dite. Mbajtja e menaxherëve jashtë listës pengon rrjedhjen e lajmit. Disa udhëheqës sinqerisht besojnë se shpejt dhe pastër është gjëja më e mirë.
Secila arsye ka një version njerëzor që kushton pothuajse asgjë. Çaktivizojeni qasjen pasi dikush ta ketë dhënë lajmin. Standardizojeni gjuhën ligjore dhe megjithatë vendosni një emër mbi të. Bëjeni brenda një dite dhe jepuni njerëzve kohë të thonë lamtumirë. Jepuni menaxherëve mjaftueshëm informacion që t’u përgjigjen pyetjeve – drejtpërdrejt.
Por, mesazhi arrin te më shumë njerëz sesa vetëm tek ai që po largohet.
Punonjësit që mbeten janë ata të cilëve kompanitë do t’u kërkojnë të adoptojnë mjetet e reja, të ridizajnojnë rrjedhat e punës dhe ta bëjnë funksional transformimin e IA-së. Ata e lexojnë letrën që morën kolegët. Vërejnë nëse udhëheqësit vendosin emrin e tyre mbi vendimin apo fshihen pas gjuhës institucionale. Dhe, nxjerrin përfundime për atë që kompania mendon se ata vlejnë.
Një udhëheqëse më tha se u largua nga kompania e saj – megjithëse vendi i saj i punës ishte i sigurt – për shkak të mënyrës se si u trajtua një valë e pushimeve nga puna. Ajo nuk do të ketë qenë e vetmja. Çdo njoftim për fuqinë punëtore u thotë atyre që mbeten: Kështu do t’ju trajtojmë kur biznesi të mos ketë më nevojë për ju.
Ky mesazh ka pasoja. Kompanive u duhen punonjësit që mbeten që të marrin rreziqe, të mësojnë sisteme të panjohura dhe të rishpikin mënyrën se si kryhet puna. U duhet besimi pikërisht kur vendimet e tyre e kanë bërë më të vështirë mbetjen. Udhëheqësit nuk mund t’u kërkojnë punonjësve të ndërtojnë të ardhmen e kompanisë të mundësuar nga IA-ja, teksa tregojnë pak shqetësim për ata që zhvendosen gjatë këtij rrugëtimi.
Prandaj, para se të dalë çdo njoftim për fuqinë punëtore që lidhet me IA-në, shtrojeni një pyetje: Çfarë duam të jetë kjo përvojë – për njerëzit që po largohen dhe për ata që mbeten?
Dikush veçse e ka në pronësi argumentin financiar. Dikush procesin ligjor. Dikush strategjinë teknologjike. Pothuajse askujt nuk i kërkohet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Derisa dikush ta bëjë këtë, përvoja projektohet vetvetiu: letra masive, llogaria e bllokuar, portali për pyetje.
Përgjigjja fillon me gjëra konkrete. Shpjegoni çfarë po ndryshon IA-ja dhe pse kjo prek role të caktuara. Vendosni emrin e një udhëheqësi mbi vendim. Jepuni menaxherëve mjaftueshëm informacion për t’u përgjigjur në pyetje. Sigurohuni që punonjësit e prekur të mund të flasin me ndonjë person para se sistemet të mbyllen rreth tyre.
IA-ja do të vazhdojë të ndryshojë se si duket puna dhe sa njerëz nevojiten për ta kryer atë. Por, zëvendësimi i punës njerëzore me makina nuk e justifikon heqjen e njerëzores nga procesi.
Fjalia më e vështirë mbetet ende më e rëndësishmja: “Unë e mora këtë vendim”.
Teknologjia mund ta ndryshojë vendimin. Ajo nuk mund ta çlirojë një udhëheqës nga përgjegjësia për ta marrë përsipër atë. /Telegrafi/

