Policia e Shtetit ka publikuar pamje nga arrestimi i një shtetasi norvegjez i cili akuzohet në Norvegji për krime kundër personit dhe kundër qetësisë publike, dhe në Shqipëri, për krime në fushën e narkotikëve.
I dyshuari, 28-vjeçari S.T është arrestuar te zona e quajtur “Plepat” në Durrës.
“Në vijim të koordinimit informativ dhe operacional, nëpërmjet Interpol Tiranës, me homologët në Norvegji, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar ‘Fast’, si rezultat i të cilit u lokalizua te zona e quajtur ‘Plepat’, dhe u arrestua provizorisht shtetasi norvegjez, S. T., 28 vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse autoritetet gjyqësore norvegjeze, në muajin prill, 2026, kanë lëshuar urdhër arresti për të, për kanosje dhe për prishje të qetësisë publike”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, në muajin maj, 2026, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet norvegjeze, vijon procedurën për ekstradimin e 28-vjeçarit, në Norvegji. /Telegrafi/
