Të premten, lëvizja Houthi e Jemenit mori nën kontroll një ishull kyç në Detin e Kuq, në mes të ngushticës Bab al-Mandeb, duke përmbyllur kështu përpjekjen për të kontrolluar një rrugë ujore jetike për eksportet e naftës saudite; këtë e bënë të ditur për agjencinë AFP një zyrtar i qeverisë vendore dhe dëshmitarë okularë.
Houthit, të mbështetur nga Irani dhe që prej vitesh kontrollojnë pjesë të mëdha të Jemenit verior, nisën një ofensivë në shkallë të gjerë javën e kaluar kundër forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite, duke shënuar një sërë fitoresh në luftime që kanë lënë qindra të vdekur.
Arabia Saudite është kundërpërgjigjur me dhjetëra sulme ajrore, dy prej të cilave goditën aeroportin e Mokhas, sipas raportimeve të së premtes nga mediat e Houthive.
Luftimet në Jemen kanë zënë vend qendror në konfliktin më të gjerë të Lindjes së Mesme, i cili shpërtheu pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe bëri që Republika Islamike të bllokonte një tjetër rrugë ujore kritike për rrjedhat globale të energjisë: ngushticën e Hormuzit.
“Varka me luftëtarë të armatosur Houthi mbërritën në ishullin Mayyun pasi forcat qeveritare u tërhoqën prej andej dje”, tha për AFP zyrtari i qeverisë vendore, duke iu referuar një ishulli që njihet edhe me emrin Perim.
“Houthit kanë përfunduar marrjen nën kontroll të zonës së Bab al-Mandeb dhe të ishullit Mayyun, i cili ndodhet në mes të ngushticës”, shtoi zyrtari, duke folur në kushtet e anonimitetit.
Një dëshmitar okular tha se persona të armatosur po “pozicionoheshin përgjatë bregut të Bab al-Mandeb dhe po lëviznin me automjete ushtarake”.
Bab al-Mandeb lidh Azinë me Evropën përmes Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit. Kjo ngushticë ka fituar rëndësi si rrugë tranziti për eksportet e naftës nga Arabia Saudite – eksportuesi më i madh i naftës në botë – që kur nisi konflikti në Lindjen e Mesme.
Të premten, si nafta bruto “Brent” (referenca kryesore ndërkombëtare), ashtu edhe nafta bruto amerikane “West Texas Intermediate”, tregtoheshin me çmime mbi 100 dollarë për fuçi. /Telegrafi/