Në episodin e 76-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, Kujtim Kastrati, otorinolaringolog i specializuar në rinoplastikë, foli për problemet e hundës, sinusëve, alergjive, gërhitjes dhe ndërhyrjeve estetike.
Ai theksoi se interesimi për rinoplastikë është rritur sidomos te të rinjtë, ku ndikim të madh kanë rrjetet sociale dhe bullizimi.
“Tek moshat e reja po ndikon shumë pjesa e rrjetit social. Po ndikon pjesa e bullizimit”, u shpreh Dr. Kastrati.
Sipas tij, një pjesë e pacientëve shkojnë në konsultë me pritshmëri të ndikuara nga figurat publike, madje duke kërkuar një hundë të ngjashme me dikë tjetër.
– YouTube www.youtube.com
“Ka raste kur pacienti vjen me një foto dhe thotë: e dua hundën time sikur ky. Në këto raste është mirë që të fokusohemi më tepër në konsultë, që pacienti të mos zhgënjehet, sepse fytyra e tij nuk do të ndryshojë. Do të ndryshojë hunda, por fytyra nuk ndryshon”, tha ai.
Kastrati paralajmëroi se estetika nuk duhet të vendoset para funksionit të hundës, pasi kërkesat për hundë shumë të vogël apo “hundë Barbie” mund të ndikojnë negativisht në frymëmarrje.
“Ka raste kur pacientët kërkojnë: doktor, unë dua një hundë të vogël, një hundë Barbie. Por nëse hunda ngushtohet shumë, pacienti mund të ketë pastaj probleme në frymëmarrje”, theksoi ai.
Foto: Ridvan SlivovaFoto: Ridvan Slivova
Për këtë arsye, ai tha se në shumë raste korrigjimi estetik duhet të kombinohet me trajtimin funksional.
“Fillimisht duhet të zgjidhen problemet e frymëmarrjes. Pasi kemi zgjidhur problemin e frymëmarrjes, atëherë mund të bëjmë një hundë që i përshtatet tipareve të fytyrës”, deklaroi Kastrati.
Gjatë bisedës, ai foli edhe për teknikat moderne të rinoplastikës, të cilat sipas tij e kanë bërë ndërhyrjen më komode për pacientët.
“Sot punohet me ultrasonik, me mikrovibrime, duke bërë prerje më koncize të kockave. Kjo jep më pak ënjtje, më pak nxirje dhe shërim më të shpejtë”, shpjegoi ai.
Ai sqaroi po ashtu se hunda e bllokuar nuk lidhet gjithmonë me sinusit kronik, pasi mund të jetë pasojë e rinitit alergjik apo vazomotorik.
“Jo gjithmonë. Ka raste në të cilat pacientët kanë probleme me rinit vazomotorik ose me rinit alergjik”, tha Kastrati duke shtuar se këto gjendje mund të shkaktojnë “bllokim të hundëve, rrjedhje të hundëve dhe teshtitje”.
Foto: Ridvan SlivovaFoto: Ridvan Slivova
Një tjetër mesazh i rëndësishëm ishte kujdesi me përdorimin e sprejve të hundës pa konsultë mjekësore, sidomos te pacientët me diabet.
“Nuk është mjekësia rrjetet sociale. Pacientët duhet ta kuptojnë këtë, sepse mund t’i japësh një recetë që mund të jetë e kundërta e asaj për të cilën ka nevojë”, theksoi ai.
Kastrati foli edhe për gërhitjen dhe apnenë e gjumit, duke e cilësuar këtë të fundit si gjendje që duhet marrë seriozisht, veçanërisht te fëmijët. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com
