Mbrojtësi spanjoll Raul Asencio mund të jetë një nga lojtarët që do të largohet nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës, sipas raportimeve të gazetarit, Fabrizio Romano.
Sipas tij, klubi madrilen ka vendosur që prej muajit qershor të shqyrtojë mundësinë e largimit të Asencios.
Real Madridi është i hapur si për një shitje përfundimtare, ashtu edhe për një huazim, në mënyrë që lojtari të ketë më shumë mundësi për të luajtur.
Arsyeja kryesore lidhet me konkurrencën e madhe në repartin e mbrojtjes.
Pas transferimit të mbrojtësit francez Ibrahim Konate, i cili iu bashkua skuadrës si lojtar i lirë, hapësirat për Asencion janë ngushtuar edhe më shumë.
Spanjolli gjendet pas emrave si Konate, Dean Huijsen dhe Antonio Rudiger në garën për një vend në formacion.
Megjithatë, largimi i tij nuk është i sigurt, pengesa kryesore është vetë dëshira e Asencios për të qëndruar në Madrid.
Mbrojtësi është i vendosur të luftojë për një vend në skuadër dhe dëshiron të bindë trajnerin Jose Mourinho gjatë fazës përgatitore të verës se mund të jetë pjesë e rëndësishme e ekipit.
Nëse situata nuk ndryshon dhe minutat për të mbeten të pakta, Real Madridi mund të kërkojë një zgjidhje për të ardhmen e tij.
Një huazim mund të jetë alternativa më e mundshme, pasi do t’i jepte Asencios mundësinë për të luajtur rregullisht dhe për të vazhduar zhvillimin e tij si mbrojtës. /Telegrafi/
