Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar takimin e tij të parë zyrtar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë siguria euroatlantike, mbështetja për Ukrainën, Ballkani Perëndimor dhe roli i Shqipërisë brenda Aleancës.
Përmes një postimi në platformën X, Hoxha bëri të ditur se Shqipëria po merr gjithnjë e më shumë angazhim dhe përgjegjësi në kuadër të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e Aleancës në kushtet aktuale të sigurisë globale.
“Sot, pata takimin tim të parë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në cilësinë time si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, në një kohë kur Shqipëria vazhdon të marrë më shumë angazhim dhe përgjegjësi brenda Aleancës”, ka shkruar Hoxha.
Ai theksoi se me Rutte kanë ndarë të njëjtin qëndrim se NATO mbetet “më e rëndësishme dhe më e domosdoshme se kurrë”, në një mjedis sigurie që sipas tij po bëhet gjithnjë e më kompleks dhe i paparashikueshëm.
Në takim është diskutuar edhe për forcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e shpenzimeve ushtarake, zgjerimin e kapaciteteve industriale të mbrojtjes dhe mbështetjen për Ukrainën.
Hoxha ka vlerësuar rolin e Shqipërisë si një aleate aktive dhe e besueshme në NATO, duke përmendur rritjen e investimeve në mbrojtje, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe pjesëmarrjen në misionet e Aleancës.
“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për të forcuar më tej aftësitë e saj mbrojtëse dhe për të siguruar që angazhimet tona të përkthehen në gatishmëri konkrete operacionale”, theksoi ai.
Sa i përket Ballkanit Perëndimor, ministri shqiptar nënvizoi se angazhimi i NATO-s mbetet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit rajonal, duke veçuar rolin e misionit të KFOR në Kosovë.
“Shqipëria do të vazhdojë të investojë në bashkëpunim më të fortë rajonal dhe në efektivitetin e pranisë së NATO-s në Kosovë, me KFOR-in që luan një rol të domosdoshëm stabilizues”, u shpreh Hoxha.
Në fund, ai foli edhe për përgatitjet e Shqipërisë për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tirana, i cili do të jetë samiti i parë i Aleancës që mbahet në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Hoxhës, organizimi i këtij samiti përfaqëson “një përgjegjësi historike” dhe një konfirmim të rëndësisë strategjike të rajonit brenda NATO-s.