Avdullah Hoti, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka quajtur mashtrues kryeministrin Albin Kurti dhe Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, pasi sipas tij, nuk po u qëndrojnë fjalëve që i thoshin sa ishin në opozitë.
Të njëjtën kritikë, Hoti e pati edhe për Presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, që thotë se nuk e përmendi fare Demarkacionin në takim me kryeministrin malazez, Dritan Abazoviq, së fundmi.
“Tash ishte kryeministri i Malit të Zi në Kosovë, e kanë kundërshtuar me dhunë Marrëveshjen e Demarkacionit, as Kurti as Osmani ‘qele guri gojën’, asnjëri nuk e përmend Demarkacionin, sepse kanë thënë janë falë 8 mijë e 200 hektarë, me shtru si temë me thënë hajde ta përmirësojmë t’i nxjerrim argumentet e reja në tavolinë, ‘qele gur gojën’, asnjëri nuk flasin. A nuk është mashtrim ky?”, është shprehur Hoti në RTV Dukagjini.
‘Mashtrimin’ e Kurtit dhe Konjufcës, Hoti e lidhi me premtimin e tyre për Asociacionin.
“A nuk është mashtrim edhe i Kurtit edhe i Konjufcën që e kanë kundërshtuar me të madhe Asociacionin, ‘nuk ka as asi, as ksi, ka vdekur Asociacioni’, kanë thënë më 12 shkurt, e më pas del në televizionin publik e thotë që ‘po ka Asociacion’”, ka thënë ai.
Sipas deputetit opozitar, një njeri që nuk u përmbahet premtimeve është mashtrues.
“Nuk kemi ndryshe si me i quajt këta, përveçse mashtrues. Nuk dua t’i fyej, vetëm se jam duke i krahasuar premtimet fjalët edhe veprimet që i kanë tash. Nëse nuk i përmbahesh fjalëve dhe premtimeve tash kur e ke përgjegjësin institucionale dhe i ndërron fjalët, i pranon ato që i ke kundërshtuar dhunshëm, atëherë je mashtrues”, ka deklaruar ai.
Hoti tha se Kurti e Konjufca e kanë kundërshtuar Asociacionin për të ardhur në pushtet, e tash po e pranojnë për të qëndruar.