Milot Rashica mund t’i mungojë Besiktasit, ndërsa Albian Hajdari do të jetë jashtë fushave për Hoffenheimin, në përballjen që zhvillohet të enjten nga ora 21:00, në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Evropës.
Sulmuesi i krahut të Kosovës, Milot Rashica, vazhdon të ketë probleme fizike dhe mbetet në dyshim për ndeshjen ndaj skuadrës gjermane, ku aktivizohen edhe tre futbollistë të tjerë të Kosovës: Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.
Rashica pësoi lëndim gjatë ndeshjes së Kosovës kundër Austrisë, më 4 tetor. Sipas raportimeve, 30-vjeçari ka dëmtuar muskulin në pjesën e sipërme të kofshës së djathtë, duke e vënë në dyshim gatishmërinë e tij për sfidën evropiane.
Sulmuesi kosovar këtë edicion ka zhvilluar shtatë ndeshje në të gjitha garat me Besiktasin, duke kontribuar me një gol.
Ndërkohë, Hoffenheimi do të jetë pa mbrojtësin Albian Hajdari, i cili ka pësuar një dëmtim të ri vetëm pak ditë pas rikthimit në stërvitje.
Klubi gjerman ka konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar se mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës ka dëmtuar fashitin plantar gjatë seancës stërvitore të së martës dhe nuk do të jetë i disponueshëm për disa javët e ardhshme.
“Albian Hajdari dëmtoi fashitin plantar gjatë stërvitjes së djeshme dhe nuk do të jetë i disponueshëm për disa javët e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Hoffenheimit.
Kështu, përballja mes Besiktasit dhe Hoffenheimit mund të zhvillohet pa dy futbollistë të rëndësishëm të Kosovës, me Rashicën që mbetet në dyshim dhe Hajdarin që tashmë është konfirmuar se do të mungojë. /Telegrafi/

