Portieri i Curaçaos, Eloy Room, ishte heroi absolut në barazimin 0-0 ndaj Ekuadorit në Kupën e Botës 2026, duke realizuar një paraqitje historike mes shtyllave.
37-vjeçari bëri plot 15 pritje gjatë ndeshjes së zhvilluar në Kansas City Stadium, shifra më e lartë e regjistruar në një ndeshje të Kupës së Botës (që nga viti 1966) që nuk ka shkuar në vazhdime.
Rekordi i mëparshëm prej 15 pritjesh mbahej nga Tim Howard, i cili e kishte arritur atë kundër Belgjikës në vitin 2014, por në një ndeshje që zgjati 120 minuta.
Room u bë gjithashtu portieri i pestë nga zona e CONCACAF-it në 50 vitet e fundit që ka regjistruar nëntë ose më shumë pritje në një ndeshje të vetme të Kupës së Botës, duke iu bashkuar emrave si Guillermo Ochoa, Tony Meola, Tim Howard dhe Brad Friedel.
Pas ndeshjes, veterani nuk e fshehu krenarinë për arritjen e ekipit të tij.
“Do të thotë gjithçka për ne. Ndihet si fitore. Është pika jonë e parë në Kupën e Botës dhe kjo ka një domethënie të jashtëzakonshme”.
“Është e pabesueshme rruga që kemi përshkuar për të mbërritur këtu. Treguam se kemi zemër të madhe dhe është një ndjenjë e jashtëzakonshme”.
“E dija që kisha bërë shumë pritje. E dija se ishte një rekord i vjetër, ndaj jam vërtet krenar”.
“Pritja e parë më dha besim. E kuptova se do të ishte një ndeshje shumë e ngarkuar për mua”.
“Jam pak i zhgënjyer sepse patëm edhe ne rastet tona për të shënuar. Megjithatë, për ne kjo ndihet si fitore”.
“Mendoj se edhe pas 40 vitesh do ta kujtoj këtë natë. Do të jetë diçka e çmendur. Besoj se tani kam nevojë për një statujë në Curaçao”, deklaroi Room me humor.
Nga ana tjetër, Ekuadori regjistroi 15 goditje në kuadrat, shifra më e lartë për një kombëtare të Amerikës së Jugut në një ndeshje të Kupës së Botës që nga viti 1966, por pa arritur të gjejë rrugën e golit përballë një Eloy Roomi të jashtëzakonshëm./Telegrafi/
