Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nuk po sheh vullnet të institucioneve të drejtësisë për ta zgjidhur rastin “Dehari”.
Sipas Haxhiut Prokuroria Speciale ka mjaftueshëm dokumente që ta zbardhë këtë rast.
“Edhe rasti Dehari edhe rasti i vjedhjes së mostrave është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale. Unë uroj që sa më parë Prokuroria Speciale të veprojë sepse vetëm gjate kësaj kohe i kemi dërguar mjaftueshëm dokumente, por edhe nëse bazohemi edhe në raportet e Institutit zviceran. Nuk po ekziston vullneti nga institucionet e drejtësisë, nuk mund ta di se përse nuk po ekziston vullneti mirëpo rasti Dehari kërkon prokurorë me integritet të lartë profesional. Unë besoj që ka Kosova prokurorë që kanë guximin e integritetin profesional për të adresuar raste të tilla që janë edhe më të ndjeshme”, është shprehur ajo në “60 Minuta” të KTV-së të mërkurën.
Ajo ka folur edhe për akuzat e deputetit të LVV-së, Haki Abazi në lidhje me rastin “Dehari”, duke thënë se ai po e përdor rastin për qëllime të ulëta.
“Ai në një konferencë për media kishte thënë që ka incizime por kur ka shkuar dhe ka dëshmuar asnjëra prej tyre, prandaj është fatkeqësi se si përdoret një rast për qëllime të ulëta”, është shprehur Haxhiu.