Shërbimi Korrektues i Kosovës ka përgjegjësi të rëndësishme në garantimin e sigurisë, zbatimin e ligjit dhe forcimin e sundimit të ligjit, por edhe në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave që vuajnë dënimin. Kështu ka deklaruar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në ceremoninë e shënimit të 27-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.
Haxhiu ka thënë se puna e Shërbimit Korrektues mbështetet në përkushtimin dhe profesionalizmin e zyrtarëve që shërbejnë në të.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk është vetëm një institucion që administron vuajtjen e dënimit; ai është një institucion që garanton sigurinë, mbron rendin, zbaton ligjin dhe kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Por mbi të gjitha, ky institucion qëndron dhe funksionon falë njerëzve që çdo ditë i shërbejnë atij me përgjegjësi, me profesionalizëm dhe me përkushtim”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se një sistem korrektues nuk duhet të vlerësohet vetëm për mënyrën se si administron dënimet, por edhe për rezultatet në përgatitjen e të burgosurve për jetën pas përfundimit të tyre.
“Një përgjegjësi po aq e rëndësishme është kontributi në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria, sepse sot një sistem Korrektues i suksesshëm nuk matet vetëm me aftësinë për të administruar dënimin, por edhe me mundësinë që u jep njerëzve të ndryshojnë, të përgatiten për një jetë të re dhe të rikthehen si qytetarë të përgjegjshëm në shoqërinë tonë”, ka thënë ajo. /Lajmi.net/

