Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës dhe kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ku po shënohet Dita Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës “Ma kthe dritën”, tha se pak krime e godasin qenien njerëzore sa dhuna seksuale.
Ajo theksoi se Serbia ka kryer krime ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sipas saj, mbi 20 mijë gra u përballën me dhunë seksuale gjatë luftës. Po ashtu, ajo shtoi se Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për kriminelët e luftës.
“Ne sapo ndezëm qirin në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, një simbolikë e thjeshtë në dukje, por e thellë në domethënie. Siç do të thoshte Martin Luther King, errësira nuk mund ta dëbojë errësirën. Këtë mund ta bëjë vetëm drita. Andaj sot kur themi ma kthe dritën, flasim për dritën që i detyrohemi të vërtetës, për dinjitetin që u tentua të nëpër këmbët dhe për jetën që u nda në dysh. Pak krime e godasin qenien njerëzore me aq egërsi sa dhuna seksuale në luftë. Nga se përmes saj sulmohet vetë dinjiteti njerëzor”, tha ajo.
Sipas saj, dhuna seksuale si një ndër mjetet më mizoret luftës nuk është dukuri e vonë apo një shprehje e rastësishme e brutalitetit njerëzor. Ajo është e njohur thell në historinë e luftërave si forme përsëritur e nënshtrimit dhe shkatërrimit shoqërorë.
“Edhe kur u emërtua juridikisht, ajo mbeti për një kohë të gjatë e mbyllur në heshtje shoqërore. Turpi ju ngarkua viktimave, ndërsa krimi u zhvendos në periferi të kujtesës kolektive. Në Kosovë ky mjet brutal dhe mizor u ushtrua nga aparati shtetëror i Serbisë, dhe nga strukturat e saj ushtarake, policore e paramilitare si pjesë e fushatës organizuar të terrorit mbi popullsinë civile shqiptare. Dhe kjo duhet thënë qartë, ishte pjesë e një mekanizmi dhune që kishe e për synim poshtërimin, nënshtrimin dhe lëkundjen e themeleve të shoqërisë sonë”, tha ajo.
Ndryshe deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë ndezur qirinj si shenjë e qëndresës, kujtesës dhe shpresës për viktimat e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë.