Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Gjatë takimit, sipas njoftimit të Presidencës, është diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe nevojën për zgjedhjen e presidentes brenda afatit të mbetur.
Haxhiu ka shprehur gjithashtu shqetësimin e saj dhe të qytetarëve të Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Nënvizova se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në procesin e apelit”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se institucionet do të angazhohen për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në koordinim me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët.
“Do të angazhohemi për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, duke i bashkërenduar veprimet me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët, në mënyrë që mbështetja jonë t’u shërbejë sa më mirë atyre në këtë proces”, ka deklaruar Haxhiu.
Në takim është diskutuar edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës. Haxhiu ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 14 dhjetor 2022, duke kërkuar edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Von der Leyen në këtë proces.
“Bisedova edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe reformat që na presin. Kosova ka dorëzuar Agjendën e Reformave, ka ratifikuar marrëveshjet përkatëse dhe ka filluar të përfitojë nga parafinancimi”, ka thënë Haxhiu.