Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në lidhje me rastin e Arlinda Zekajt ka thënë se vlerëson suspendimin e kryeprokurores në Pejë dhe prokurores së rastit si dhe 11 policëve, ndërsa është shprehur e shqetësuar që KGjK dhe Komuna e Pejës ende nuk kanë reflektuar.
“Siç e keni parë, as kryetari i Pejës as Drejtoria përkatëse për Mirëqenie që ka në monitorim QPS-të nuk ka ndërtuar raport me ndërmarrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës që nuk e kanë kryer detyrën që e kanë në bazë të legjislacionit.”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Prokuroria të filloj pa vonesa hetimet penale në raport me të gjithë zyrtarët që e kanë kryer punën gabimisht ose nuk kanë vepruar fare.
“Rasti i Arlinda Zekajt dëshmon se mund t’i kesh ligjet dhe strategjitë por në fakt janë zyrtarët në këtë institucion që është në diskreticionin e tyre a i zbatojnë. Nuk mund të ketë zyrtarë të tillë në institucionet e Republikës së Kosovës. Qeveria përgatit projektligjet për Kuvend. Kuvendi i voton ato dhe nuk mund të lejojmë në Kosovë zyrtarët që në bazë të diskrecionit, vullnetit apo mosvullnetit të tyre të veprojnë në raste të caktuara”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se Arlinda Zekaj e ka raportuar rastin pikërisht ku duhet te institucionet përgjegjëse.
“Por çka kemi parë është mosveprim në raportimet serioze të të ndjerës Arlinda Zekaj. Ky rast duhet të na shërbej që asnjëherë në të ardhmen të mos kemi zyrtarë që nuk e kryejnë punën e tyre. Kërkoj nga Prokuroria që pa vonesa të fillojnë hetimet penale ndaj zyrtarëve që nuk i kanë kryer detyrën e tyre. Kjo veçse të shpie deri te drejtësia dhe shërben si parandalim që raste të tilla të mos ndodhin asnjëherë më në Republikën e Kosovës”, ka shtuar Haxhiu. /Lajmi.net/

