Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka dekretuar sot 17 gjyqtarë me mandat fillestar, në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Sipas një njoftimi për media thuhet se nga gjyqtarët e dekretuar, 15 janë nga komuniteti shqiptar dhe 2 nga komuniteti serb.
“Gjatë ceremonisë së betimit në Presidencë, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta ushtrojnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se Haxhiu theksoi se marrja e detyrës së gjyqtarit është përgjegjësi e madhe publike, sepse vendimet gjyqësore prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Ajo uroi që gjatë mandatit të tyre gjyqtarët të jenë të pavarur nga çdo ndikim politik, financiar apo personal, duke theksuar se drejtësia nuk negociohet. /Telegrafi/