KORREKT / SOT16 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Haxhi Reci, biznesmeni shqiptar në Gjermani që nuk e shkëputi asnjëherë lidhjen me Drenicën dhe sportin kosovar

Haxhi Reci, biznesmeni shqiptar në Gjermani që nuk e shkëputi asnjëherë lidhjen me Drenicën dhe sportin kosovar

Biznesmeni shqiptar në Gjermani, Haxhi Reci, përmes kompanisë së tij “Reci GBH”, vazhdon të jetë i lidhur me Kosovën dhe sportin, duke investuar kohë, energji dhe përkushtim në zhvillimin e klubeve sportive. Ish-presidenti i KF Drenicës, dhe aktualisht pronari i FC Drenica Futsal, i cili në të kaluarën kontribuoi edhe përmes firmës së tij që klubi nga Skenderaj të mos shuhej, në një intervistë për Telegrafi flet për rrugëtimin e tij në sport, rikthimin e Drenicës në Superligë, titullin historik në futsall dhe potencialin e diasporës shqiptare.

Pavarësisht se prej shumë vitesh jeton dhe vepron në Gjermani, Reci nuk e ka shkëputur asnjëherë lidhjen me vendlindjen. Përmes angazhimit të tij në sportin kosovar, ai ka qenë pjesë e projekteve që synuan ruajtjen dhe zhvillimin e klubeve, në një periudhë kur mbështetja dhe vazhdimësia financiare ishin thelbësore për të ardhmen e tyre.

Kontributi i tij në KF Drenica, përfshirë mbështetjen përmes kompanisë së tij në momente të vështira për klubin, mbetet pjesë e rrugëtimit të tij sportiv. Për Recin, ky angazhim nuk ka qenë vetëm çështje investimi, por edhe përgjegjësi ndaj komunitetit dhe një mënyrë për të ruajtur lidhjen me Kosovën.

Në intervistën për Telegrafi, ai shpjegon motivet që e kanë mbajtur të angazhuar në sport, rëndësinë e profesionalizmit dhe planifikimit afatgjatë, si dhe nevojën që diaspora të kontribuojë përtej ndihmës financiare.

“Edhe pse jetoj prej shumë vitesh në Gjermani, Kosova ka qenë dhe mbetet pjesë e pandashme e jetës sime. Njeriu mund ta ndërtojë jetën, karrierën dhe të ardhmen e tij kudo në botë, por rrënjët, vendlindja dhe njerëzit e tu mbeten gjithmonë të veçantë. Për mua, pas familjes dhe rrethit tim, sporti e në veçanti futbolli është një mënyrë konkrete për ta ruajtur këtë lidhje dhe për të dhënë diçka nga vetja për vendin tim”, thotë Reci, për Telegrafin.

Nga Gjermania në shërbim të sportit kosovar

Për Recin, sporti është një nga mënyrat më konkrete përmes të cilave diaspora mund të ndikojë në zhvillimin e Kosovës. Sipas tij, përvoja e fituar jashtë vendit mund të shndërrohet në vlerë të shtuar për klubet vendore, nëse shoqërohet me gatishmëri për bashkëpunim dhe me struktura që mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm.

“Sportin, konkretisht futbollin e kam zgjedhur për shkak të pasionit por edhe sepse besoj se ai ka një fuqi të jashtëzakonshme për t’i bashkuar njerëzit dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë. Një klub sportiv nuk është vetëm një ekip që garon për rezultate, ai është pjesë e identitetit të një qyteti, historisë dhe sakrificës se një komuniteti por edhe e krenarisë së njerëzve të tij.”, thotë ai.

Ai vlerëson se diaspora mund të ndihmojë në përmirësimin e mënyrës së menaxhimit të klubeve, krijimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe ngritjen e standardeve profesionale.

“Diaspora mund t’i japë sportit kosovar shumë më tepër sesa ndihmë financiare. Mund të sjellë përvojë, njohuri profesionale, kontakte ndërkombëtare, mënyra të reja të menaxhimit dhe, mbi të gjitha, një kulturë më të avancuar organizimi. Mendoj se ky duhet të jetë drejtimi ku duhet të angazhohemi të gjithë.”

Drenica, një angazhim që shkoi përtej rezultateve sportive

Emri i Haxhi Recit lidhet me periudha të ndryshme të angazhimit në klubet e Drenicës, përfshirë kohën kur ishte i përfshirë në KF Drenica si dhe mbështetjen përmes kompanisë së tij, në një periudhë kur klubi kishte nevojë për përkrahje që të vazhdonte ekzistencën.

Rikthimi i Drenicës në Superligë ishte një prej momenteve të rëndësishme të këtij rrugëtimi. Për Recin, ky sukses ishte rezultat i punës së përbashkët të kryesisë, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që besuan në projektin e klubit.

“Rikthimi i Drenicës në Superligë paraqet një prej momenteve më të veçanta të rrugëtimit tim sportive dhe jetësor. Ishte një periudhë me shumë emocione, përgjegjësi dhe sfida, sepse kur je pjesë e një klubi me histori dhe traditë, pritshmëritë janë gjithmonë të mëdha. Nuk mjafton vetëm dëshira për të arritur sukses, duhet punë e vazhdueshme, bashkëpunim dhe besim te qëllimi i përbashkët. Këtë e kemi arritur pas një pune të madhe më të gjithë kryesinë e FC Drenicës dhe bashkëpunëtorët tanë.”

Megjithatë, ai thekson se rikthimi në elitë nuk duhet të jetë qëllimi përfundimtar i klubit nga Skenderaj. Sipas tij, Drenica ka nevojë për një projekt afatgjatë, me struktura profesionale, investime në akademi dhe mbështetje institucionale.

“Sot, mendoj se Drenicës i duhet një projekt afatgjatë, me qëllime dhe objektiva të qarta, strukturë profesionale, menaxhim të duhur dhe investim serioz në akademinë e klubit. Mbijetesa në Superligë nuk duhet të jetë synimi përfundimtar. Synimi duhet të jetë krijimi i një klubi që konkurron me dinjitet dhe që zhvillon lojtarë të rinj. Për këtë nevojitet vazhdimësi dhe jo vetëm investim për një sezon.”

Në këtë drejtim, Reci kërkon edhe një rol më aktiv të institucioneve lokale në krijimin e kushteve për investitorët dhe njerëzit që duan të kontribuojnë në futboll.

“Këtu kontribut të madh duhet partjetër të jap edhe Komuna e Skenderajt që të krijoj një strukturë mbështetëse për të gjithë invesitorët dhe personat të cilët kanë dëshirë dhe interes për invesitime në futboll. Drenica ka histori, tifozë dhe potencial, këto duhet të shndërrohen në një projekt të qëndrueshëm.”

Titulli historik në futsall dhe paraqitja në Ligën e Kampionëve

Pas angazhimit në futboll, Reci u përfshi edhe në FC Drenica në futsall, ku klubi arriti një sukses historik duke fituar titullin e parë në historinë e tij. Suksesi erdhi pas disa vitesh kur skuadra kishte qenë pranë triumfit, ndërsa për Recin ky ishte një dëshmi se organizimi dhe besimi mund të bëjnë diferencën.

“Pas përfundova angazhimin tek klubi i madh i futbollit, fillova të angazhone tek klubi i FC Drenicës në futsall. Ishte një sfide e re për mua me stimuj të rinjë e konkretizuar me një arritje jashtëzakonisht te veçantë, sepse bëhej fjalë për titullin e parë në historinë e klubit. Kur një klub ka qenë për disa vite pranë suksesit më të madh dhe më pas arrin ta realizojë atë synim, gëzimi është edhe më i madh. Për mua, ajo arritje ishte dëshmi se me besim, organizim dhe punë të përbashkët mund të kapërcehen edhe pengesat që për një kohë të gjatë duken të vështira.”, shtoi ai tutje.

Titulli i hapi rrugën FC Drenicës për të garuar për herë të parë në Ligën e Kampionëve, ku skuadra regjistroi dy fitore dhe një humbje. Reci e konsideron këtë përvojë si dëshmi se edhe klubet nga qytetet më të vogla mund të konkurrojnë ndërkombëtarisht.

“Pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve ishte një hap shumë i rëndësishëm për FC Drenicën. Ishte një ënderr e realizuar që të ngitet lartë emri dhe flamuri I Drenicës në arenën ndërkombëtare. Fakti që arritëm të regjistronim dy fitore dhe një humbje tregoi se edhe një klub nga një qytet më i vogël i Kosovës mund të paraqitet me dinjitet në arenën ndërkombëtare, kur ka përgatitjen dhe organizimin e duhur.”,tha ai.

Ai shton se suksesi nuk përcaktohet nga madhësia e qytetit, por nga serioziteti i projektit dhe puna që bëhet brenda klubit.

“Këto rezultate nuk duhet të shihen vetëm si sukses sportiv, por edhe si dëshmi e potencialit që ekziston në Kosovë. Nuk është madhësia e qytetit ajo që e përcakton suksesin, por serioziteti i projektit, puna e lojtarëve, cilësia e stafit dhe mbështetja që krijohet rreth klubit. Natyrisht, konkurrenca ndërkombëtare kërkon investime dhe përgatitje të vazhdueshme, por përvoja jonë dëshmoi se nuk duhet të kemi frikë të synojmë më lart.”, u shpreh Reci.

“Përfitimi im më i madh është kënaqësia kur shoh se puna dhe angazhimi japin rezultat”

Pavarësisht sfidave që e shoqërojnë angazhimin në sport, Reci thotë se motivimi i tij nuk lidhet vetëm me trofetë dhe rezultatet në fushë. Për të, vlera më e madhe qëndron te zhvillimi i lojtarëve, gëzimi i tifozëve dhe krenaria e komunitetit.

“Përfitimi im më i madh është kënaqësia kur shoh se puna dhe angazhimi japin rezultat. Kur sheh që klubi arrin sukses, lojtarët e rinj zhvillohen, tifozët që gëzohen dhe një qytet që ndihet krenar për ekipin e vet, kupton se gjithë ai mund dhe ajo kohë kanë pasur kuptim.”

Ai pranon se rrugëtimi nuk ka qenë gjithmonë i lehtë, por beson se kontributi ndaj vendit të origjinës është një përgjegjësi që secili duhet ta marrë përsipër sipas mundësive të veta.

“Nuk do të thotë se rrugëtimi është gjithmonë i lehtë. Ka sfida, zhgënjime dhe momente kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç i ke planifikuar. Por pikërisht këto janë pjesë e çdo angazhimi serioz. Për mua, motivimi nuk është vetëm rezultati në fushë, por edhe ndjenja se ke kontribuar për diçka që është më e madhe se vetja. Mund të qëndroja vetëm në Gjermani dhe të merresha me punët e mia, por besoj se secili duhet të japë diçka për vendin e vet, aq sa ka mundësi dhe aftësi.”

Çfarë duhet të mësojë Kosova nga Gjermania?

Përvoja e gjatë e jetesës dhe veprimtarisë në Gjermani i ka dhënë Recit mundësinë të shohë nga afër dallimet në organizimin e sportit. Sipas tij, Kosova ka talent dhe pasion, por ka nevojë për më shumë profesionalizëm, planifikim dhe vazhdimësi.

“Dallimi kryesor që shoh është te organizimi, profesionalizmi dhe planifikimi afatgjatë. Në Gjermani, sporti ndërtohet mbi struktura të qëndrueshme, përgjegjësi të qarta, planifikim financiar dhe investim të vazhdueshëm në grupmoshat e reja. Klubet nuk mendojnë vetëm për ndeshjen e radhës, por edhe për mënyrën se si do të zhvillohen gjatë pesë apo dhjetë viteve të ardhshme.”

Ai vlerëson se përvoja e diasporës mund të ndihmojë në krijimin e modeleve më të mira të menaxhimit, por ato duhet të përshtaten me kushtet dhe nevojat e Kosovës.

“Në Kosovë kemi talent, pasion dhe njerëz që sakrifikojnë shumë për sportin. Ajo që shpesh na mungon është vazhdimësia në organizim dhe krijimi i strukturave që funksionojnë pavarësisht personave që janë në krye. Nga diaspora duhet të marrim përvojën, disiplinën, transparencën dhe mënyrën e menaxhimit, por duke i përshtatur ato me kushtet tona. Nuk duhet të kopjojmë gjithçka, por duhet të mësojmë nga modelet që kanë dëshmuar sukses.”, tha Reci për Telegrafi.

Për Recin, përfshirja e diasporës duhet të jetë shumë më e gjerë se mbështetja financiare. Ai sheh mundësi për bashkëpunim në zhvillimin e akademive, trajnimin e kuadrove, krijimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe këshillimin profesional të klubeve.

“Absolutisht po. Mendoj se diaspora përfaqëson një potencial shumë të madh, i cili ende nuk është shfrytëzuar sa duhet në sportin kosovar por edhe në fushat tjera.. Përtej financave, ka njerëz që kanë ndërtuar karriera profesionale në vende të zhvilluara, kanë krijuar dhe menaxhuar kompani të mëdha dhe të suksesshme, dhe kanë fituar përvojë që mund të jetë shumë e vlefshme për klubet tona.”

Investimi te të rinjtë, baza e suksesit afatgjatë

Një tjetër çështje të cilës Reci i kushton rëndësi të veçantë është puna me grupmoshat e reja. Sipas tij, klubet nuk duhet ta shohin ekipin e parë si qëllimin e vetëm, por duhet të ndërtojnë një sistem që u jep fëmijëve dhe të rinjve mundësi për zhvillim sportiv dhe personal.

“Puna me të rinjtë është ndër investimet më të rëndësishme që mund të bëjë një klub. Ekipi i parë është pjesa që shihet më shumë, por baza e një klubi të qëndrueshëm ndërtohet shumë më herët, te fëmijët dhe të rinjtë që stërviten çdo ditë dhe ëndërrojnë të bëhen sportistë profesionistë.”

Ai thekson se akademitë duhet të kenë rol edukues dhe të ndihmojnë në formimin e të rinjve, pavarësisht nëse ata arrijnë të bëhen sportistë profesionistë.

“Akademitë nuk duhet të jenë vetëm vende ku fëmijët mësojnë të luajnë futboll apo futsall. Ato duhet t’i edukojnë me disiplinë, respekt, përgjegjësi, punë ekipore dhe sjellje të shëndoshë. Jo secili do të bëhet futbollist profesionist, por secili duhet të ketë mundësinë të zhvillohet si individ përmes sportit. Nëse duam klube të forta në të ardhmen, duhet të fillojmë me investimin te gjeneratat e reja sot.”, thekson Reci.

Synimi i radhës: FC Drenica drejt elitës evropiane të futsallit

Edhe pas sukseseve të arritura, Reci thotë se synimet e tij në sportin kosovar vazhdojnë. Ai dëshiron që klubet të ndërtohen mbi baza të qëndrueshme dhe të mos varen vetëm nga vullneti apo mundësitë financiare të një personi.

“Natyrisht, gjithmonë ka synime të reja. Për mua, më e rëndësishmja është që sporti kosovar të zhvillohet mbi baza më të qëndrueshme dhe që klubet të mos varen vetëm nga vullneti apo mundësitë e një personi të vetëm. Dua të shoh projekte që kanë vizion, organizim profesional dhe plane konkrete për të ardhmen.”

Megjithatë, ai ka edhe një objektiv konkret për periudhën e ardhshme: ngritjen e FC Drenicës në futsall në një nivel më të lartë ndërkombëtar dhe përfshirjen e klubit në mesin e skuadrave më të mira evropiane.

“Për sa u përket planeve të mia, preferoj të jem i kujdesshëm me premtimet dhe të flas më shumë përmes punës. Ajo që mund të them është se dëshira për të kontribuar në sportin kosovar mbetet e njëjtë. Synimi është që çdo angazhim i ardhshëm të ketë vlerë të shtuar, jo vetëm për ekipin e parë, por edhe për të rinjtë, komunitetin dhe zhvillimin e sportit në përgjithësi.Por, si synim dhe qëllim gjatë kësaj periudhe e kam ngritjen e FC Drenicës në futsall në nivele ndërkombëtare, dhe hyrjen në mesin e 16 ekipeve më të mira në nivelin europian.”, thotë Reci.

Trashëgimia që dëshiron të lërë pas

Në fund, Reci thotë se suksesi i vërtetë nuk matet vetëm me titujt e fituar apo me rezultatet e arritura gjatë kohës sa dikush është i përfshirë në një klub. Për të, rëndësi ka ajo që mbetet pas: strukturat funksionale, lojtarët e zhvilluar dhe shembulli që mund t’u shërbejë të tjerëve.

“Nëse pas dhjetë vitesh do ta shikoja këtë rrugëtim, do të doja të shihja se kam ndihmuar në ndërtimin e klubeve më të organizuara, me struktura të qëndrueshme dhe me mundësi më të mira për gjeneratat e reja. Natyrisht, titujt dhe rezultatet janë të rëndësishme, sepse janë dëshmi e punës dhe e suksesit, por për mua nuk janë e vetmja masë e arritjes.”, tha Reci.

Ai shpreson që përvoja e tij të shërbejë edhe si nxitje për shqiptarët e tjerë në diasporë, që të investojnë në vendin e tyre jo vetëm financiarisht, por edhe përmes dijes, kohës dhe përvojës profesionale.

“Do të isha shumë i lumtur nëse nga ky rrugëtim do të mbeteshin lojtarë të rinj që kanë arritur të ndërtojnë karrierën e tyre, klube që vazhdojnë të zhvillohen edhe pa praninë time dhe një shembull që i frymëzon edhe njerëzit e tjerë nga diaspora të investojnë kohë, dije dhe energji në Kosovë.”

Mesazhi i Haxhi Recit është i qartë: për sportin kosovar nevojiten më shumë se investime të përkohshme dhe suksese afatshkurtra. Nevojiten vizion, organizim, profesionalizëm dhe njerëz të gatshëm të kontribuojnë përtej interesave personale.

“Në fund, do të doja që kontributi im të mos kujtohej vetëm për një titull apo një rikthim në Superligë, por për përpjekjen për të ndërtuar diçka që zgjat. Sepse suksesi i vërtetë nuk është vetëm ajo që arrin gjatë kohës sa je i përfshirë, por ajo që mbetet edhe pasi largohesh.”/Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.