Daut Haradinaj ka bërë të ditur se do të lirojë pozitën e deputetit, duke theksuar se këtë vendim e merr me bindjen se përgjegjësia ndaj vendit nuk kufizohet vetëm në një funksion institucional.
“Unë jam krenar me kombin tim dhe me vendin tim. Për të gjithë ata që e duan Kosovën të zhvilluar dhe në rrugën e drejtë, ndihem i vlerësuar dhe mirënjohës për besimin që ma keni dhënë. Por mbi të gjitha, dua t’i falënderoj ata që më përzgjodhën si përfaqësues të tyre,” ka shkruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se zëri i tij do të vazhdojë të jetë aktiv në çdo hapësirë ku kërkohet angazhim për Kosovën dhe interesin e qytetarëve.
“Zëri im nuk do të jetë vetëm në foltoren e Kuvendit. Zëri im do të jetë i pranishëm kudo ku kërkohet angazhim për Kosovën, për interesin e qytetarëve dhe për të ardhmen që e duam të gjithë,” ka theksuar ai.
Haradinaj ka bërë të ditur se këtë vendim e merr si pjesë të një angazhimi më të gjerë publik dhe kombëtar.
“Siç kam premtuar që në fillim, do ta liroj pozitën e deputetit për t’u dhënë hapësirë kolegëve të mi. Këtë e bëj me bindjen se përgjegjësia dhe kontributi ndaj vendit nuk maten vetëm me një pozitë,” ka shkruar ai.
Në fund, ai ka ritheksuar se Kosova mbetet mbi të gjitha për të.
“Vendi im i vetëm është Kosova. Kosova e dëshmorëve dhe martirëve tanë… Për mua, Kosova ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë mbi të gjitha,” përfundon reagimi i tij.
