Në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan është hapur Panairi i Produkteve Ushqimore dhe Artizanale, i organizuar nga Komuna e Lipjanit, i cili për herë të dytë këtë vit sjell para qytetarëve dhe vizitorëve produkte vendore dhe punime artizanale.
Sipas njoftimit panairi do të jetë i hapur më 7 dhe 8 gusht, ka për qëllim promovimin e prodhuesve dhe artizanëve lokalë, si dhe prezantimin e vlerave të trashëgimisë kulturore përmes produkteve dhe punimeve tradicionale.
Organizimi i këtij aktiviteti gjatë muajit gusht lidhet edhe me ardhjen e shumë bashkatdhetarëve në vendlindje, duke u krijuar atyre mundësi që të njihen më afër me prodhimet dhe krijimtarinë vendore.
Përmes këtij panairi, Komuna e Lipjanit synon të mbështesë veçanërisht grupin e grave ndërmarrëse, duke u ofruar hapësirë për prezantimin e produkteve të tyre dhe duke kontribuar në fuqizimin e rolit të tyre në zhvillimin ekonomik lokal.
Panairi pritet të jetë një pikëtakim për qytetarët, vizitorët dhe prodhuesit vendorë, duke promovuar traditën, kreativitetin dhe produktet e punuara në vend. /Telegrafi/
