Kompania “Electro Plus” ka hapur fabrikën për prodhimin e transformatorëve elektrikë në Zubin Potok, aktivitet të cilin më parë e zhvillonte në Vushtrri me kapacitet më të vogël.
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se në lokacionin e ri, përveç prodhimit, do të kryhen edhe testimi dhe certifikimi i transformatorëve përmes teknologjisë së avancuar.
Sipas saj, hapja e fabrikës përbën një mundësi për zhvillimin ekonomik të kësaj zone, ndërsa shumica e punëtorëve pritet të jenë banorë lokalë.
Kusari-Lila tha se pas forcimit të rendit dhe ligjit, sigurisë dhe pranisë institucionale të Republikës së Kosovës, hapi i radhës është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.
Ajo vlerësoi se punësimi i banorëve lokalë është një nga mënyrat për integrimin e tyre në jetën shoqërore dhe ekonomike, duke krijuar mundësi për punësim dhe prosperitet.
Ministrja përgëzoi pronarët e kompanisë, Ferdane dhe Hetem Terllabuqin, për investimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Sipas saj, nga vizita e fundit në kompani gjatë muajit maj, kur fabrika ishte në fazën e përgatitjeve, deri në hapjen zyrtare, investimi ka avancuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pritet të ndikojë në uljen e importeve, rritjen e eksporteve dhe fuqizimin e infrastrukturës energjetike përmes transformatorëve të prodhuar në Kosovë.
“Electro Plus” aktualisht punëson 23 persona, ndërsa sipas ministres kompania është në proces të rritjes së numrit të të punësuarve në 45 në ditët në vijim.
Kusari-Lila tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë bizneset që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, rritjen e prodhimit dhe punësimit, si dhe në mirëqenien e qytetarëve në të gjitha pjesët e vendit./Telegrafi/